
Parlamenti ka përjetuar këtë të enjte një prej seancave më të forta dhe të ashpra në replika, me argumenta të shumtë, si gjendja e kriminalitetit nisur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Durrës, ku një fëmijë u ekzektua nga bashkëmoshatari i tij brenda perimetrit të shkollës.
Për të biseduar për këto dhe shumë çështje të tjera, të ftuar në studion e Sokol Ballës, në “Top-Story” ishin Ilirjan Celibashi, ministri për marrëdhëniet me Parlamentin, Eduar Halimi, ish-ministër i Drejtësisë dhe deputet, Ermonela Felaj, deputete socialiste dhe Oerd Bylykbashi, deputet i Partisë Demokratike.
Njëkohësisht, debatit iu bashkangjitën në rolin e specialistit Aleksandër Çipa dhe kryeredaktori i revistës MAPO, Alfred Lela.
Gjendaj e kriminalitetit në vend, vrasja në shkollën e Shkozetit
“Unë nuk kam qenë sot në Parlament pasi kam qenë në të vërtetë në funeralin e viktimës. Viktima ka qenë në zonën time elektorale si deputet dhe për këtë arsye isha edhe dje atje”, nisi debatin në studio zoti Halimi. “Ishte një ngjarje e rëndë, ngjarje që tronditi Durrësin dhe çdo prind shqiptar, pasi një djalë vritet në mes të klasës. Sigurisht që kjo ngjarje e rëndë jo vetëm që tronditi rendin, por tregoi gjendjen e kriminalitetit dhe bëri më të pasigurt çdo prind që çon fëmijët në shkollë. Këtu nuk është çështja të ecim me frymën e opozitës së djeshme, që për çdo vrasje thonte e ka fajin kryeministri. Ne nuk po themi këtë, por themi cila është arsyeja dhe zgjidhja dhe këtu ndryshojmë në trajtimin e kriminalitetit. Në këto 90 ditë, që s’janë pak, policia ka ndryshuar. Deri dje kishim drejtues apolitik e sot kemi drejtues që kane qenë komisionere të PS. Deri dje policia gjurmonte kriminelet, sot policia ka ndryshuar, merret me mbledhje tatimesh nga lojrat e fatit, ndertimet pa leje, gjithfare gjërash, përveç asaj që ka prioritet kryesor, që është siguria publike. Ju e dini se një ditë përpara kishte pasur grindje me grushta mes të dy adoleshentëve. Erdhi polciia atë ditë, bëri procesverbal, nuk i gjeti dot adoleshentët dhe të nesërmen ndodhi ngjarja. Policia nuk bëri dot atë që duhet të bëjë, por merret me gjithfarë çështjesh që unë i listova ndaj siguria publike bie dhe kriminaliteti rritet”.
Në argumentin e tij, ministri Celibashi theksoi se nuk ka një lidhje direkte midis kësaj ngjarje të shëmtuar dhe rendimentin të policisë. “Gjykuar rastin konkret, do të doja me bindje të thoja që edhe nëse për momentin ato që Halimi parashtroi në lidhje me policinë, reformat e ndërmarra të prezumojmë se qëndrojnë sipas konsideratave të tij, unë mendoj se ngjarja e djeshme nuk lidhet drejtëpërsëdrejti me rendimentin e policisë. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të sinqertë që ngjarje të tilla, duke marrë në konsideratë subjektin e përfshirë, vendin dhe sfondin e ngjarjes lidhen më shumë me situatën ekonomike e sociale ku ndodhet Shqipëria dhe nuk mendoj që kjo ngjarje është veçanërisht e lidhur me performancën e Policisë së Shtetit. Jemi në një shoqëri me probleme të mëdha ekonomike, sociale e psikologjike, sepse nuk mendoj që një ngjarje e tillë lidhet drejtëpërsëdrejti me çështje të sigurisë dhe të rendit publik, në një sfond kanë edhe ato impaktin e tyre, por s’më duket ky rasti për të thënë që policia nuk funksionon dhe rendi publik është shthurrur. Konsideratat e tjera të Halimit, mbi performacën dhe nëse kjo polici po përmbush detyrat, unë mendoj se edhe ato që tha Halimi, veprimtaria e policisë në lidhje me parandalimin ose evidentimin e veprimtarive të paligjshme në biznesin e lojrave të fatit, ndërtimet e paligjshme, mendoj se nuk janë objekte jashtë fokusit të veprimtarisë së policisë dhe nuk mendoj se ka një shfokusim të aktivitetit të policisë në raport me objektin e punës së saj”.
Në komentin e Lelës, “ky është një rast fatkeq për Tahirin se në periudhën e tranzicionit kur u regjistrua një gjendje e trazuar, Tahiri u bë aq i përhershëm duke dalë në deklarata për shtyp sa krijoi përshtypjen se edhe një makinë të gërvishtej në Tiranë dilte dhe e ashpërsonte sikur gërvishtja të ishte një vrasje. Politikanët duhet të ruhen nga të vënit e vetes në një pozicion fatkeq sepse pak muaj më vonë, trendi i kriminalitetit dhe aksidenteve vazhdoi, në mos u rëndua dhe tani është në atë gjendje, është bërë shënjestër e anës tjetër kur ishte ai që e kishte bërë anën tjetër shënjestër”.
“Sigurisht që situata e rendit vazhdimisht do të na shqetësojë dhe do të jetë në fokus të opionionit dhe larg o Zot sikur të ishte kjo çështja e fundit që na intereson. Zoti Lela më krijoi përshtypjen e një justifikimi pafuqie, që zoti Tahiri dilte dhe akuzonte më parë, etjm etj… Ne e dimë që rendi është një situatë e mbarsur, është një situatë shumë e agravuar që është krijuar për vite të tëra dhe të bëjmë një analizë nuk duhet të mjaftohemi në një dy apo tre muaj, pasi analizat profesionale kapin një hark më të gjerë, minimumi një vit”, nisi replikën e saj deputetja socialiste, zonja Felaj.
”Do kthehem tek ngjarja që opozita po e përdor si kal beteje, duke u kthyer në opozitë e kauzave të humbura. Nuk duhet që një fatkeqësi si e djeshmja t’i shërbejë opozitës për të ngritur një kauzë ndaj mazhorancës si e pazonja për të vendosur rendin dhe sigurinë në vend, pasi janë bërë përpjekje maksimale për të sfiduar kriminlitetin në vend dhe besoj që do t’ia mbërrijmë në krye. Besoj sepse e para jemi të ndërgjegjshëm për kriminalitetin, pa e fshehur si më parë ekzistencën e tij. Meqë zoti Halimi përdori shifra, edhe unë po i përgjigjem ashtu. Shifra vepra penale me armë zjarri, në vitin 2008 në Shqipëri kishte 62 vjedhje me armë, sipas të dënave absolutisht të besueshme të Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa vjet regjistrohen 131 vepra të vjedhjes me armë… Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake, në 2008-n kishim 465, vjet 821.. Dyfishim. Armët e ftohta, në 2008 kishte 44, vjet 111. Më dhëmb kur shoh që ne politikanët, pa diferencime tregohemi të sipërfaqshëm. Opozita dje në qeveri, kur ne diskutuam ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit dhe i përballëm me këto shifra, duke i kërkuar që të mos liberalizohej këta zotërinj ishin kundër dhe e liberalizuan. Çmenduria në draft kërkon që me ligj edhe pronësia në armët e zjarrit, të ishte private. Sot një ri, sa shkon 22 vjeç, pa arsye të qënësishme ka të drejtë të pajiset me armë zjarri”, deklaroi Felaj.
Në një kundëreplikë, Halimi tha: “Zgjedhja e këtij ministri është e pakuptimtë, pasi PS ka figura shumë më të afta se një dordolec si Tahiri që ndërsa unë sot isha në funeral, tha që faji është i prindërve. Sipërfaqësia që ata merren me zgjidhjen e problemit është ajo që na shqetëson më shumë. Jam dakord me shifrat e zonjës Felaj dhe zgjidhja e këtij problemi nuk është tek ligji për përdorimin siç thotë ministri dhe kryeministri, sepse asnjë vrasje nuk ka ndodhur me armë me leje, ndaj ligji për përdorimin e armëve ka qenë për armët me leje, kush mund t’i përdorë. A ka ndodhur ndonjë vrasje me armë me leje? Asnjë. S’është ky problemi, kryeministri dhe ministri kanë marrë pushtetin, por ende s’kanë marrë përgjegjësinë. Pse janë agresivë? Sepse janë të paaftë dhe s’kanë alternativa dhe kur i japin i japin në mënyrën më idiote të mundshme”.
“Të ndajmë gjërat, dy përceptime që ekzistojnë”, mori fjalën në studio zoti Çipa. “I pari, nga qytetarët dhe besoj është më i mbështeturi që në bazë të këtij përceptimi, një nga ministritë më e angazhuar duket se është rendi, deri në atë masë që shpesh bezdisemi nga prezanca e tepruar e policisë në Tiranë apo vende të tjera, aq sa duket se ky është qëllimi kryesor i qeverisjes. i dyti është përceptimi politik. Njëri që i nihilon dhe tjetri që i maksimalizon shumë. Nëse nisemi nga ngjarja e Shkozetit, debati nuk duhet orientuar nga qënia e policit në derë, edhe në qeverisjen e PD kur me urdhër të ministrit pati polic tek dera ndodhën episode të tmerrshme. Cili është problemi? Këtu nuk është tek uniforma, por tek ajo që ndodhi brenda shkollës dhe tek çështja sociale që ka shkolla jonë. Ne kemi nxjerrë një skemë jofunksionale. Unë jam prind dhe kam kontakt të vazhdueshëm me mësuesin kujdestar, nëse do të kishte një zënkë do të isha lajmëruar sakaq që në ditën e mëparshme. Kur ndodhi masakra në shkollën e SHBA, nuk u mblodh Kongresi për të bërë debat për ngjarjen, por risollën në shqyrtim funksionim e marrëdhëneve prindër, mësues, administrator i shkollës sepse në këtë pikë nuk ka funksionuar si e ka futur armën dhe këtë se ka polici, por kontrolli tek dera”.
“Ne në fakt denoncuam që në program se kjo qeveri s’ka program dhe edhe në rend kjo është e kuptueshme. Nuk po themi çdo të ndodhë në muajt e ardhshëm, por vetëm që në dy muajt e fundit janë vrarë 49 persona. Kjo është një rritje shumë e madhe në një periudhë shumë e shkurtër, ndërsa qeveris kjo qeveri. Nëse kjo qeveri e ka kuptuar prioritetin gabim, nëse fokusin e saj e çon diku tjetër, sigurisht këto do të ndodhin, pasi kemi një polici që edhe kështu siç është nuk mjafton për të kontrolluar”, mbylli debatin në pjesën e parë në studio zoti Bylykbashi.
Shembja e pallatit në Vlorë
Prej disa javësh njëri ndër frontet në të cilat është investuar më së tepërmi qeveria e rë është ajo e identifikimit dhe shembjes së ndërtimeve pa leje. Një prej këtyre ndërtimeve është edhe kompleksi “Jon”, pallati i shumëpërfolur tashmë në media me bashkëinvestitor vjehrrin e Lulzim Bashës, kryetarit të Partisë Demokratike dhe Bashkisë së Tiranës.
Por pse gjithë kjo zhurmë për atë pallat? Kryeredaktori i revistës MAPO thotë se pallati ka qenë në shenjestër më herët, para se të vinte në pushtet qeveria e re. Ai tha se aksioni është selektiv dhe të bën të mendosh për një luftë klasash.
Por Ministri i Shtetit, Ilirjan Celibashi tha se një gjykim më të plotë për këtë proces mund të japim pasi të ketë kaluar një periudhë kohe. “Nuk ka asnjë veprim selektiv në këtë aksion”, tha Celibashi.
Ndërsa gazetari Aleksandër Cipa tha se ai pallat duhet shembur sepse nuk përkon me pjesën e planit që është miratuar dhe publikuar dhe në kundërshtim me ligjin është futur në det. “Vendimi i qeverisë për dëmshpërblimin e banorëve krijon një precedent. Pse duhet të dëmshpërblejmë kaq shpejt ata banorë, ndërsa të tjerë kanë ndër vite në sistemin e drejtësisë që nuk janë dëmshpërblyer?”, tha Cipa.
Ndërsa deputetja Ermonela Felaj tha: “Mua nuk më bën përshtypje kjo pjesa selektive. Biles aq më mirë. Ato ndërtesa janë ndërtesa të ndërtuara nga njerëz me pushtet dhe pse jo të mos e fillojmë që këtu dhe jo me qytetarët e panjohur e anonimë”.
Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi tha se përderisa ka vendim për dëmshpërblim, atëherë objekti është krejtësisht i ligjshëm: Vendimi që mori qeveria për të shpronësuar pronarët e atij pallati, tregon që objekti ishte i ligjshëm. Të ishte e kundërta nuk do merrte këtë vendim me një shumë marramendëse. Selektiviteti është tronditës, u nis me një ndërtesë në Tiranë, një në Vlorë dhe për të arritur tek ai pallat që Rama i kishte vënë syrin që në korrik”.
Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi i cilësoi hakmarrje personale të Ramës veprimet e para të qeverisë së tij: “Kjo që po bën Rama është hakmarrje. Rama kishte merak në zemër hakmarrjen, e ka ndaj Lulzim Bashës se e mundi dy vjet më parë. Problemi i madh është që ka sjellë në cështje të ditës disa cështje që nuk kanë qenë problem më parë. Cështja e pronës nuk ka qenë problem, por e ka kthyer me prishjen e ndërtimeve pa leje”.
Ministri i Shtetit, Ilirjan Celibashi shtoi se: Kemi probleme me urbanistikën dhe këto nuk janë fenomene që kanë ndodhur në këto dy muaj, janë të trashëguar. Pyetja është si po përballlet kjo qeveri? Nëse ngelet në këtë fazë mund të themi që kjo është një zgjedhje selektive, por unë mendoj që ky është një proces që nuk ka nisur në mënyrë selektive. Ai pallat është ndërtuar në shkelje të rëndë të ligjeve”.
Top Channel