Në zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës, “Lista Srbska” e përkrahur nga qeveria Daçiç ka marrë gjithsej 9 komuna, pra një më pak se vet partia e kryeministrit kosovar, Thaçi.

Ndërkohë, komunën e Shtërpcës më shumicë serbe e ka fitur SLS, parti serbe, e cila është në bashkëqeverisje në insitucionet kosovare.

Fitorja e “Listës Srbska” ka shqetësuar ambasadoren amerikane në Prishtinë, e cila ka bërë thirrje për të pasur shumë vëmendje, që mos të krijohet një Republikë serbe në Kosovë.

Megjithatë, ambasadorja amerikane, Tracy Ann Jacobson, duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve, ka thënë që, pavarësisht se “Lista Srbska” do të udhëheqë në 9 komuna, nuk do të paraqesë rrezik për shtetin.

Në një intervistë për gazetën kosovare “Koha Ditore”, ambasadorja amerikane ndër të tjera ka thënë:

“Unë mendoj se, çdo rrezik mund të minimizohet përmes bisedimeve, por mendoj që duhet të jemi shumë më të vëmendshëm, që të mos kemi një situatë me një Republikë serbe”.

Ndërkohë, këtë rrezik e denoncon, gjatë një konference për shtyp, “Lëvizja Vetëvendosje”. Në këtë organ politik, fajtore për këtë rrezik bëjnë marrëveshjen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Sipas Glauk Konjufcës, projekti për integrimin e serbëve të Kosovës ka dështuar dhe se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është përgjegjës për këtë çështje.

“Lista serbe, e krijuar nga Ivica Daçiç, e mori pushtetin në 9 komuna, po aq sa ka edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe shumë afër Partisë Demokratike të Kosovës, e cila tani do të qeverisë me 10 komuna. Kështu, një parti serbe, të cilën e përkrahte e gjithë bashkësia ndërkombëtare, mbeti në minorancë e pothuajse e papërfillshme, kurse “Lista” e Daçiç, e krijuar drejtpërdrejt nga qeveria e Serbisë, prej raundit të dytë të zgjedhjeve në Kosovë, mund të themi se është bërë pushteti absolut në mesin e popullsisë serbe në Kosovë”, tha Glauk Konjufca, i VV-së.

Ndërkaq, deputetja Albulena Haxhiu ka rihapur çështjen e “Ligjit të Amnistisë”, duke thënë se vazhdojnë të amnistohen vepra të personave, të cilët kanë bërë krime para e pas luftës në Kosovë. Sipas deputetes Haxhiu, amnistia i shërben legalizimit të strukturave paralele.

“Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, si për shembull në Mitrovicën e Veriut, kanë qenë Krstmir Pantiç, dhe Oliver Ivanoviç, që të dy të përfshirë drejtpërsëdrejti në strukturat paralele, të përfshira në trazirat e pasluftës, me qëllim dëbimin e popullsisë shqiptare nga veriu i Mitrovicës, por edhe paraluftës, si pjesëtarë të formacioneve paramilitare serbe”, tha Haxhiu.

Në anën tjetër, në prag të takimit të radhës me homologun nga Serbia, Ivica Daçiç, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një bisedë për radion “Europa e Lirë”, ka thënë se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të ketë kompetenca të ndonjë entiteti politik e etnik.

Sipas tij, me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, përfshirë edhe ata në komunat veriore, po ç’rrënjoset edhe ndikimi i Serbisë në Kosovë.

Top Channel