
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilloi të enjten një aktivitet, në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë, midis të tjerave mori fjalën ministri i Jashtëm, zoti Ditmir Bushati, i cili theksoi vullnetin e qeverisë shqiptare për të thelluar zbatimin dhe respektimin e të drejtave jetësore në vendin tonë.
“Ne aspirojmë për një shoqëri ku aspirojnë edhe liritë e të drejtat tona. Kjo qeveri është e vendosur të thellojë respektimin në fushën e aksesit në drejtësi, duke krijuar një sistem gjyqësor llogaridhënës dhe të barabartë. Në zbatimin e të drejtës së fjalës së lirë, në respektimin e komunitetit rom dhe personave me orientim të ndryshëm seksual”, deklaroi ministri Bushati.
“Sot, Shqipëria është midis vendeve me legjislacion të përditësuar në kuadrin e respektimit të të drejtave të njeriut. Kemi bërë shumë në rrugën e gjatë drejt shtetformimit demokratik, ndërsa sfida jonë mbetet ngushtimi i vazhdueshëm i hendekut midis ligjbërjes dhe ligjzbatimit”, shtoi ministri.
Gjatë ceremonisë, përfaqësues të OSBE-së në Tiranë shpërndanë disa çmime, për ata përfaqësues të shoqërisë civile që janë angazhuar në një rol kryesor në përmirësimin e zbatimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Top Channel