Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian kanë marrë vendim
për t’i garantuar Kosovës eksportin e dy milionë litrave verë në vit pa
tarifë doganore.

Vendimi është publikuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian, më 30 nëntor 2013 dhe ka hyrë në fuqi tre ditë më pas.

“Vendimi është rezultat i punës së pandërprerë për këtë çështje gjatë dy viteve të fundit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me institucionet e Bashkimit Evropian”, thuhet në një komunikatë për media lëshuar nga MTI.

Kuota e verës funksionon në bazë të parimit “I pari vjen, i pari e merr shërbimin”, që do të thotë se kompanitë eksportuese duhet ta shfrytëzojnë kuotën sa më parë brenda vitit.

BE-ja nuk bën dallim mes eksportuesve, por kuota prej dy milionë litrash i llogaritet Kosovës. Kjo është hera e parë që Kosova ka përfituar kuotën e saj individuale për eksport të verërave në BE.

Deri më tani Kosova ka shfrytëzuar kuotën e përbashkët për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila nuk i ka garantuar Kosovës eksport të verërave.

Nëse eksportuesit kosovarë eksportojnë më shumë se dy milionë litra verë në BE brenda vitit, atëherë Kosova mund të ketë qasje në kuotën e përbashkët të Ballkanit Perëndimor, që është tre milionë litra.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë kuotat individuale të eksportit të verërave. Vendimi i BE-së për të garantuar kuotën individuale të verërave për Kosovën vjen në një moment kur Kosova është në proces të negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Top Channel