Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian ka deklaruar se Unioni është i
shqetësuar për praninë e luftëtarëve nga Ballkani në konfliktin e
armatosur në Siri.

Zyrtari, i cili ka kërkuar të ruajë anonimatin për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, ka saktësuar se mercenarët ballkanas në Siri janë rreth 500.

I cituar nga “RTK”, zyrtari ka shtuar se vetëm nga Kosova janë nga 80 deri në 100 luftëtarë.

Ndërkohë, shefi i seksionit të anti-terrorit të Bashkimit Evropian, Gilles de Kerchove do të trajtojë çështjen e luftëtarëve të huaj në Siri në një takim të ministrave të Brendshëm të Unionit që zhvillohet sot.

Mësohet se zoti De Kerchove ka deklaruar në prag të mbledhjes se rritja e numrit të mercenarëve, edhe nga vendet e BE-së, në Siri përbën një kërcënim të madh për sigurinë.

Një ditë më parë, në Siri, të paktën 18 persona mbetën të vrarë kur një raketë e rebelëve goditi një bastion të ushtrisë së rregullt siriane në qytetin e Alepos.

Kryeqendra ekonomike e Sirisë dhe qyteti më i banuar i vendit, Alepo, është shndërruar prej kohësh në vatrën më të nxehtë të ftontit të luftimeve.

Ndërkohë, ndërsa muaji Janar do të sjellë nisjen e punimeve të Konferencës së Paqes në Gjenevë, arritja e një marrëveshjeje mes palëve parashikohet që të jetë tepër e vështirë.

Ministri sirian i Informacionit theksoi gjatë së mërkurës se presidenti Bashar al-Assad do të jetë kryesues i çdo qeverie të përkoheshme, nëse një e tillë do të vendoset të formohet gjatë këtyre bisedimeve. Nga ana e tyre, kryengritësit kanë vendosur si kusht kryesor të bisedimeve dorëheqjen e Assadit.

Top Channel