Në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës, deputetët e pozitës dhe
opozitës kanë shprehur shqetësimin për deklaratat e krerëve të rinj të
komunave me shumicë serbe, se nuk do ta njohin juridiksionin e shtetit
të Kosovës.

Sipas raportimeve të “RTK”, deputeti i PDK-së Arsim Bajrami i ka bërë thirrje gjithë institucioneve përkatëse që të monitorojnë ligjshmërinë e punës së kryetarëve të komunave serbe.

”Janë pikërisht provokimet që bëhen tani nga kryetarët e zgjedhur të komunave veriore, pra jo nga përfaqësuesit ilegalë, se nuk do të pranojnë juridiksionin e Kosovës. Mendoj se kjo është një sfidë për Kosovën dhe unë kërkoj që të gjitha institucionet e vendit, në radhë të parë qeveria, të marrin të gjitha masat e nevojshme që të monitorojnë ligjshmërinë e punës së këtyre kryetarëve”, ka deklaruar Bajrami.

Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka përmendur pasojat e Marrëveshjes së 19 prillit, që sipas tij po mundëson krijimin e një republike serbe në territorin e Kosovës.

”E kemi Serbinë në Kosovë të forcuar politikisht, me pushtet të legalizuar, me polici dhe gjyqësor të ndarë. Kemi kryetarë komunash që deklarojnë se nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe se do të punojnë drejtëpërdrejtë për Serbinë në Kosovë. Kryetarë që po përgatiten ta formojnë republikën e tyre serbe të quajtur Bashkësia e Komunave Serbe. Ky pra është rezultati i negociatave të udhëhequra nga Hashim Thaçi dhe të miratuara nga PDK, LDK, AAK dhe AKR”, ka thënë Ymeri.

Nga AAK, deputetja Donika Kadaj Bujupi ka thënë se kjo parti nuk do të pranojë asnjë ndryshim nga ajo që është përcaktuar në Marrëveshjen e 19 prillit, ndryshe do të ketë rishikim të pozicionit ndaj dialogut.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka thënë se për këtë shqetësim qeveria duhet të ishte menduar kohë më parë. “Ne po e diskutojmë tani këtë çështje, por unë ju kujtoj se marrëveshjen e 19 prillit e votuan 80 deputetë. Këto gjëra duhet të ishin marrë parasysh që atëherë”, ka thënë Krasniqi.

Top Channel