Jemen, sulm Ministrisë së Mbrojtjes

05/12/2013 00:00

Një autobombë ka shpërthyer mëngjesin e së enjtes në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes në kryeqytetin e Jemenit, Sana, duke shkaktuar 20 të vdekur e 37 të plagosur.

Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale. Tym është parë të ngrihet nga kompleksi qeveritar në zonën Bab al Jaman, në hyrje të qytetit të vjetër.

Ndërkohë, dëshmitarë kanë deklaruar për mediat ndërkombëtare se kanë dëgjuar të shtëna dhe sirenat e një ambulance që drejtohej për në vendin e ngjarjes.

Forcat jemenase të sigurisë po luftojnë kundër rebelëve rajonalë dhe militantëve të Al Kaedës, ndërkohë që përpiqen të kontrollojnë ndasitë në radhët e ushtrisë.

“Sulmi ndodhi pak momente pas nisjes së orarit të punës në ministri, kur një atentator vetëvrasës çoi makinën e tij tek hyrja e ministrisë”, deklaroi një zëdhënës për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

“Shpërthimi ishte shumë i fuqishëm, e gjithë zona u lëkund për shkak të tij dhe re tymi u ngritën nga ndërtesa”, tha ndërkohë një dëshmitar po për agjencinë “Reuters”.

Autoritetet thanë gjithashtu se një makinë e dytë ndoqi të parën, me personat brenda saj që hapën zjarr ndaj godinës qeveritare. Incidenti vjen pas një seri sulmesh ndaj zyrtarëve të bërë nga militantët, të cilët dyshohet se i përkasin degës së Al Kaedës në Gadishullin Arabik.

Vendi po kalon një tranzicion të vështirë që kur presidenti Ali Abdullah Saleh u detyrua të dorëhiqej në vitin 2011.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB