
Ngjarja tronditëse në Shkozet të Durrësit, ku adoleshenti i mori jetën
shokut të tij me një arme zjarri në klasë, shkaktoi debate të forta në
Kuvend, nga ku ministri i Brendshëm Saimir Tahiri paralajmeroi
ashpërsimin maksimal të ligjit për mbajtjen dhe përdorimin e armëve pa
leje.
“E latë trashëgimi përhapjen masive të armëve luftarake dhe të armëve të zjarrit në nivele të atilla sa sot plumbat dhe armët janë kthyer në alternativën e parë për të zgjidhur qoftë edhe konflikte banale, qoftë edhe ndërmjet adoleshentëve dhe për sherre për Facebook. Ndaj Ministria e Brendshme do të sjellë urgjentisht në Qeveri dhe Qeveria do të paraqesë urgjentisht në Parlament, dy projektligje, një për armët dhe një tjetër për përdorimin e armëve, në mënyrë që t’i japim fund njëherë e mirë kapitullit më të zi të historisë së sigurisë publike në vend, që është përdorimi i armëve”, tha Tahiri.
“47 të vrarë në një muaj, nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri. Dilni këtu, me shifra të turpshme. Janë shpirtra njerëzish, por sigurisht, ku pyet krimi për ju, ju jeni shokët e krimit, ju jeni shokët e ‘Hakmarrjes’, ju jeni shokët e Bandës së Durrësit, të Bandës së Lushnjës, ju jeni shokët e Shullazit”, tha deputeti Sali Berisha.
“Kur çuni i babit bënte biznes me demontim armësh, hidhte në erë dhe fshinte nga harta e Shqipërisë një fshat të tërë, duke lënë pas 26 viktima, nuk ka se si mund të mos mendonin të rinjtë e këtij vendi se mund të bënin edhe para shpejt, edhe të fortin, mund të mbanin edhe armë, mund të bënin edhe krime, se kur çuni i babit, dje Kryeministër, nuk dënohej dhe nuk i hynte gjemb në këmbë dhe babi e mbronte mu në mes të Parlament, sigurisht që do të ndjekin këtë model”, tha Tahiri.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se ngjarja e Shkozetit, nuk lidhet vetem me sigurine, por kulturen e kriminalitetit që për shumë vjet iu imponua si model të rinjve dhe kjo i ka rrënjet tek një sistem arsimor jo funksional. Shkolla, gjithashtu është pjesë e përgjegjësisë edhe për deputeten demokrate Majlinda Bregu, në një këndvështrim tjetër.
“Nuk ka ndodhur kurrë që në klasë, në orë të mësimit të vritet me armë një fëmijë. Kjo ndodh sepse ai drejtori i shkollës, ai drejtori i arsimit të rrethit e ka hallin do të jetë në punë apo jo”, tha Bregu.
“Në fund të mandatit tuaj patëm shkollën, jo më të politizuar, por shkollën më të militantizuar që ka pasur ndonjëherë Shqipëria qysh nga vitit 1991. Shkollën ku gjithë oborrët u kthyen në sheshe për shfaqjet e kllounit tuaj, Kryeministër atëherë”, tha Rama.
Kreu i Qeverise deklaroi se situata kerkon nderhyrje energjike te aktoreve te shoqerise e bashkepunimit politik, duke bere me dije se nderhyrja ka nisur se pari nga shkollat.
“Marrëdhënia mësues-prindër-Qeveri do të ngrihet dhe do të forcohet ditë për ditë, si një marrëdhënie e domosdoshme, në një vend të qytetëruar për të pasur një mjedis shkolle, ku nuk flitet vetëm për mësimet, por kur flitet për shoqërinë dhe ku garantohet bashkëjetesa që i kthen njerëzit nga qënie të vetmuara dhe të egra, në qënie sociale dhe në qënie bashkëpunuese. Ky projekt përveç të tjerave është edhe projekti fitues në betejën me kriminalitetin si kulturë”, tha Rama.
Ministria: Rendi është përmirësuar
Shkëlzen Berisha akuzon Tahirin: I dënuar për gënjeshtra
Pas deklarimeve të deputetëve të opozitës në parlament se krimi në vend ka pësuar rritje ka reaguar nëpërmjet një njoftimi për median Ministria e Punëve të Brendëshme.
Gjatë këtyre 2 muajve në vitin 2013, thuhet në deklaratë, janë evidentuar 18 vrasje, ndërkohë që në vitin 2012, për të njëjtin hark kohor janë evidentuar 23 vrasje.
Po kështë rënie kanë pësuar edhe krime të tjera kundër personi si vrasje e mbetur në tentativë, plagosje e rëndë etj, me 11 krime më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Diskutimi deputetit Sali Berisha për cështjet e sigurisë në vend dhe përgjigjja e dhënë prej Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka prodhuar një tjetër debat, tashmë mes Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit i cili i ka nisur nëpërmjet postës elektronike një deklaratë ku thotë:
“Në kushtet kur zhvillohet ky debat me duket e tepërt të them se ky minister jo vetëm është i dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata për shpifjen që përsëriti sot në parlament, por si një bandit me imunitet, sfidon cdo ditë shtetin ligjor duke mos paguar detyrimin që rrjedh nga vendimi i gjykatës për gënjeshtrën e tij”.
Top Channel