Shefi i misionit të OSBE-së, ambasadori Jean-Claude Schlumberger ka mirëpritur zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

“Jam i inkurajuar me ato që kam lexuar në raportin paraprak të misionit vëzhgues të BE-së, i cili thekson se përkundër disa parregullsive në të dy raundet, zgjedhjet ishin të standardeve ndërkombëtare”, ka deklaruar Schlumberger.

Ai ka përgëzouar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe organet e tjera për punën e mirë të bërë në këtë proces, si dhe ka përshëndetur zgjedhjen për herë të parë të një kryetareje femër.

“Jam shumë i kënaqur që për herë të parë që nga viti 1999, Kosova ka një kryetare femër dhe unë e përgëzoj zonjën Kusari-Lila për fitoren e saj. Zgjedhja e saj i kontribuon promovimit të barazisë gjinore dhe bërjes së saj realitet”, ka theksuar ambasadori.

Më tej, Schlumberger ka vënë në dukje se liria e medias është shumë e rëndësishme, sidomos gjatë zgjedhjeve, duke shprehur keqardhjen e tij rreth dy incidenteve që ndodhën më 1 dhjetor dhe që patën efekte negative në punën e mediave.

Top Channel