Tension i lartë sot, në seancën e pasdites në Dhomën e Deputetëve, kur do të diskutohej ratifikimi i marrëveshjes italo-greko-shqiptare mbi realizimin e projektit TAP.
Një grup deputetësh të “Lëvizjes Pesë Yjet” protestuan me forcë dhe u ulën në vendet e rezervuara për ministrat.
Duke qenë e pamundur rivendosja e rregullit dhe qetësisë, u vendos që seanca të pezullohet. Marrëveshja, e nënshkruar më 13 shkurt të këtij viti në Athinë, është aprovuar nga Senati italian më 17 tetor.
Radhën e kishte Dhoma e Deputetëve, ku parlamentarët e “Lëvizjes” së kryesuar nga Beppe Grillo nuk qenë dakord me ndërrimin e rendit të ditës dhe diskutimin e menjëhershëm të çështjes së ratifikimit.
Sipas tyre, lënia mënjanë e çështjeve të buxhetit, që ishin në program, do të favorizonte ratifikimin e marrëveshjes.
Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Dario Franceschini, paralajmëroi se, nëse nuk do të arrihet në ratifikimin e marrëveshjes, Italia do t’i nënshtrohet sanksioneve të rënda.
Kohët e fundit ka pasur kundërshtime dhe debate të ndezura, si nga ana e disa administratave vendore, ashtu edhe nga një grup banorësh të zonave ku do të kalojë gazsjellësi.
Sipas projektit, gazsjellësi 800 km i gjatë, 105 prej të cilëve në detin Adriatik, do të transportojë rreth 10 miliardë metër kub gaz në vit.
Top Channel