Një trupë gjyqtarësh vendas dhe ndërkombëtarë të Gjykatës së Apelit, në Kosovë, ka refuzuar të shtatë ankesat e paraqitura nga avokatët mbrojtës kundër vendimit për vazhdimin e paraburgimit të grupit të Drenicës.

Sipas njoftimit të EULEX-it, trupi gjykues ka refuzuar caktimin e masës së arrestit shtëpiak për personat e pandehur, të cilët akuzohen për krime lufte.

EULEX sqaron se ankesat e avokatëve mbrojtës janë vlerësuar si të pabaza nga gjyqtarët, të cilët kanë konfirmuar vendimin e gjykatësit kryesues nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, të datës 22 nëntor 2013, për vazhdimin e paraburgimit.

Ky vendim vë në pikëpyetje edhe vazhdimin e mandatit të ri që mori në zgjedhjet e 3 nëntorit si kryetar i Skënderajt, Sami Lushtaku, njëri prej të akuzuarve. Deri më datë 20 dhjetor Lushtaku duhet të bëjë betimin para Asamblesë Komunale në Skënderaj.

Top Channel