Zyrtarë të Misionit Ndërkombëtar, për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, kanë vlerësuar me notë të lartë raundin e dytë të zgjedhjeve. Sipas raportit, në zgjedhjet e balotazhit janë përmbushur standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

Procesi zgjedhor është vlerësuar lart edhe nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, dhe përfaqësuesit e ambasadave në Prishtinë. Sipas raportit, në ditën e votimit për raundin e dytë, ENEMO kishte dërguar 28 vëzhgues nga organizatat anëtare, të cilat e kanë vëzhguar procesin në 155 vendvotime nga 25 komuna të Kosovës, përfshirë edhe rivotimin në tre vendvotime në Zveçan.

“Dita e zgjedhjeve ka qenë e qetë dhe ka pasqyruar përmirësime të mëtejshme të realizimit të votimit, numërimit dhe mbylljes së KVV-ve, pavarësisht disa rasteve të regjistruara të dhunës në vendvotime. Vëzhguesit e ENEMO-s kanë vërejtur keqpërdorimin e burimeve/fuqisë edhe në raundin e dytë, në pjesën më të madhe të komunave. Janë raportuar disa raste, kur zyrtarë të ndryshëm publik kanë ushtruar presion dhe kërcënime mbi qytetarët, për të votuar për kandidatë të caktuar”, tha Zlatko Vujovic, shefi i misionit ENEMO.

Vëzhguesit e ENEMO-s kanë vlerësuar se në disa komuna është vërejtur fushatë negative, në masë të madhe në Gjakovë dhe Shtërpcë. Ata kanë thënë se mungesa e rregullave të përshtatshme ka krijuar hapësirë të fushatës negative në rrjetet në internet, e veçanërisht përmes rrjeteve sociale.

Sipas tyre, sjellja e anëtarëve të KVV-së është përmirësuar dukshëm, krahasuar me raundin e parë zgjedhor, veçanërisht në aspektin e paketimit të materialeve. ENEMO ka përgëzuar Policinë dhe zyrat e prokurorëve të Kosovës, për efikasitetin e tyre në procesimin e të gjitha rasteve të pretenduara të mashtrimeve, keqpërdorimeve dhe dhunës zgjedhore.

Top Channel