
“Jemi të gatshëm të hapim dyert për investitorët italianë, që duan të vijnë në Shqipëri, por që, për shkak të atyre që kanë dëgjuar, nuk lëvizin nga vendi i tyre”.
Këtë ka deklaruar kryeministri Edi Rama, në një takim me sipërmarrësit italianë, për të evidentuar problematikat që ata hasin për të investuar në Shqipëri.
“Për këtë – tha shefi i qeverisë shqiptare, – kemi ngritur një grup deputetësh, që janë të interesuar të marrin pjesë në këtë nismë. Ata janë të interesuar të shkojnë në Itali, të takojnë dhe dëgjojnë biznesmenët italianë, që natyrisht kanë shumë pyetje, dhe të marrin shënime prej tyre”, ka nënvizuar kreu i qeverisë.
Duke vënë në dukje se Shqipëria është e fundit në rajon, përsa u përket investimeve italiane, ai ka premtuar se do të eleminojë barrierat për ta ndryshuar këtë realitet.
“Ajo që duhet të bëjmë ne, është që të lidhim dy sistemet e doganave, që do të thotë se, në momentin që trajleri juaj del nga Italia, ai hyn në sistemin tonë”.
Ky ishte një angazhim i kryeministrit Rama gjatë takimit. E kjo – premtoi kryeministri – nuk është diçka, që do të ndodhë pas 1000 vjetësh, por është diçka, që do të ndodhë në muajt e ardhshëm. Do të jetë një ndryshim i menjëhershëm.
Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Edi Rama siguroi të gjithë bizneset e vogla se do të hiqet taksa për këtë kategori, ashtu siç është premtuar gjatë fushatës elektorale.
Ai ka theksuar se personat që përbëjnë këtë grup vijnë si nga bota e biznesit ashtu dhe ajo akademike, për të paraqitur propozime në nivel legjislativ dhe për të krijuar kushtet për të mbrojtur nismat dhe projektet që mund të paraqiten.
“Përsëris se jemi të gatshëm të diskutojmë me sipërmarrësit italianë që duan të bashkohen në këtë aventurë, të vështirë, por dhe shumë të bukur. Fokusi ynë është përqendruar tek sipërmarrjet e vogla dhe të mesme italiane”, ka theksuar Rama.
“Ne jemi të fundit për investimet nga Italia, edhe pse jemi më afër nga të gjithë me Italinë. Shqipëria është dera prej nga hyet për në Itali dhe ne duam ta hapim këtë derë, për ta bërë Shqipërinë si vendin e parë për investimet italiane”, ka shtuar Rama, i cili ka paralajmëruar edhe zhvillimin e një vizitë në Itali, bashkë me një grup biznesmenësh.
Top Channel