“Statusi, vendimi është politik”

03/12/2013 00:00

“Këtë vit në fakt po pyesim vendet anëtare se çfarë doni nga ne? Doni që ne të përsërisim veten edhe vitin tjetër, nëse terreni e do? Se na duhet pak udhëzim nga vendet anëtare…”

Komisioneri për zgjerim, Stefan Fule u shfaq pa gjumë, i ftohur dhe ironik tek “Miqtë e Europës” për konferencën vjetore të nivelit të lartë mbi Ballkanin “korsi e shpejtë apo e ngadaltë”. Ndërsa përmendi rekomandimet e përsëritura të Komisionit ndaj Maqedonisë, Komisioneri rrëfeu se proçesi i zgjerimit po kontrollohet pak a shumë politikisht prej vendeve anëtare dhe se ka ardhur koha për të vepruar politikisht.

Për Shqipërinë, rikujtoi se 3 kushtet e vitit të kaluar janë përmbushur dhe se ai ishte i impresionuar si nga qeveria e re, ashtu dhe përfshirja konstruktive e opozitës e se për luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, Këshilli duhet të merrte parasysh “freskimin javor të të dhënave thelbësore” të Tiranës  mbi luftën ndaj krimit të organizuar e Korrupsionit.

I pyetur nga Top Channel nëse mjafton ajo çfarë ka bërë Shqipëria deri tani dhe letra e Komisionerit ndaj vendeve anëtare për t’i bindur ata për një vendim pozitiv mbi statusin kandidat dhe nëse vendi mund të përparojë për çeljen e negociatave brenda mandatit të Komisionerit aktual për Zgjerimin, Stefan Fule u përgjigj:

Stefan Fule, Komisioner për Zgjerimin: Statusi kandidat është një vendim politik. Dhënia e statusit nuk është diçka që dukshëm lidhet me kritere të mirëpërcaktuara. E nëse ka kritere, ato janë kritere të motivuara politikisht. Statusi kandidat, veçanërisht në zonën e Ballkanit është për të çmuar përpjekjet e bëra, si dhe për të nxitur vazhdimin e reformave. Në mëndjen time, unë jam mëse i qartë se ne kemi mbërritur tek pika, sa i takon Shqipërisë se është i garantuar për të dorëzuar në të dyja ato fusha. Parashikimi për hapa të mëtejshëm gjatë mandatit tim si Komisioner varet nga vetë Shqipëria. Gjithë idea e dialogut të nivelit të lartë për 5 kriteret kyçe është për ta ndihmuar vendin që të merret me ato kritere prioritare që qëndrojnë mes Shqipërisë dhe rekomandimit të Komisionit për hapjen e negociatave. Tani po punohet mbi udhëzuesin se si të trajtohen ato për rekomandimin tonë dhe zbatimi varet plotësisht nga ata. Ndaj pa spekuluar, më lejoni të nënvizoj se ky nuk është kalendari i pikturuar nga Drejtoria e Zgjerimit dhe kabineti im, por është më shumë se si vendi kandidat, me shpresë, do të dorëzojë detyrat e shtëpisë”.

Pa komentuar “nëse Shqipëria është në korsinë e shpejtë apo jo”, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, u përqendrua tek “qëndrueshmëria dhe siguria” e reformave veçanërisht për sundimin e ligjit dhe performancën ekonomike. Sipas tij, zgjerimi është proces politik, por ka rëndësi dhe besueshmëria.

Përfaqësuesja për Lirinë e Medias në OSBE, Dunja Mijatovic, u shpreh se në Ballkan termometri është media. Mbi këtë bazë, ajo veçoi se Shqipëria dhe Serbia janë në korsinë e shpejtë, pasi ka vullnet të qartë politik të qeverive respektive për përparim në drejtim të duhur.

Vlerësim të ngjashëm optimist ndau dhe Ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak, sipas të cilit nga korsia e ngadaltë një vit më parë, Serbia dhe Shqipëria kaluan tashmë në korsinë e shpejtë e se ky shembull duhet ndjekur nga vendet e tjera të Ballkanit.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel