Misioni i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë
e vlerësoi me notë pozitive procesin e votimit në raundin e dytë,
raporton “REL”.

Sipas misionit, në përgjithësi integriteti i votës është mbrojtur mjaftueshëm, por kishte edhe raportime për fotografim të fletëvotimit, si dhe raste të votimit familjar.

“Me këto zgjedhje Kosova po shënon përparim të mëtejshëm në rrugën e saj demokratike. Shpresoj që këto zhvillime inkurajuese që kemi vënë re gjatë këtyre zgjedhjeve do të vazhdojnë deri në fund të procesit dhe se ato do të vënë themelet e forta të zhvillimit të ardhshëm demokratik të Kosovës”, tha Roberto Gualtieri, shef i misionit, pas publikimit të deklaratës paraprake.

“Suksesi i këtyre zgjedhjeve gjithashtu shënon një hap të rëndësishëm në zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, shtoi Gualtieri.

Vëzhguesit e BE-së kanë qenë të pranishëm në tërë Kosovën për dy muaj. Deklarata e tyre paraprake mbulon zhvillimet që nga raundi i parë i zgjedhjeve.

“Ambienti politik në tërësi ishte i qetë ditën e balotazhit, ndonëse kishte tensione dhe pretendime për presione ndaj votuesve dhe blerje të votave në disa komuna”, shtoi Gualtieri.

Top Channel