Faik Berisha, 59 vjeç nga Prishtina, ka 21 vite që është paralizuar. Për të arritur te marshi për ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara në Prishtinë, Faiku pati problem me transportin publik në kryeqytet.

Qasja në objektet e institucioneve, punësimi, rrugë të papërshtatshme janë disa nga barrierat për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë. Faiku, si gjithë të tjerët, kërkon angazhim më të madh nga pushtetarët.

Dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara u shënua të martën në Prishtinë, me një marsh nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te Teatri Kombëtar.

Marshi u organizua nga organizata “HandiKOS”, me synim ndërgjegjësimin e shoqërisë për t’u përfshirë në integrimin e personave me aftësi të kufizuara në përditshmëri.

“E bëmë këtë për t’iua demonstruar se edhe vendet, rrugët, objektet, që në shikim të parë mund të duken të qasshme, në të vërtet janë plot pengesa për njerëzit që janë ndryshe”, tha Afrim Maliqi, kryetar i “HandiKOS”.

U prezantua edhe “Harta e Barrierave për Kosovën Gjithëpërfshirëse”, e financuar nga Bashkimi Europian dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, si dhe e menaxhuar nga zyra e Bashkimit Europian në Kosovë.

“Fatkeqsisht, ekzistojnë një numër i madh i fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë, që nuk kanë qasje në arsimim. Njerëzit me aftësi të kufizuara nuk kanë qasje as në objekte banimi, restorante e vende të tjera, si dhe nuk mund të lëvizin lirshëm në shoqëri. Këto barriera çojnë në përjashtimin social dhe në izolimin e njerëzve me aftësi të kufizuar”, tha Thomas Gnocchi, shef i sektorit për çështje politike, në zyrën e BE, Prishtinë.

255 mijë është numri i personave me aftësi të kufizuara në Kosovë. Vetëm 11% e fëmijëve me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në sistemin arsimor, ndërsa vetëm 17 mijë gëzojnë të drejtën e pensionit prej 60 euro në muaj.

Marshit iu bashkangjit edhe kryetari i sapozgjedhur i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Top Channel