Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon ka
mirëpritur zhvillimin e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Përmes një deklarate për shtyp, ai ka thënë se mbajtja e suksesshme e zjedhjeve në gjithë Kosovën përbën një moment historik edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe për përmirësimin e instituconeve demokratike në Kosovë.

Sipas raportimeve të “RTK”, Ban Ki Moon u ka kërkuar palëve që të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, me qëllim të zbatimit të të gjitha dispozitave të Marrëveshjes së 19 prillit, përfshirë këtu krijimin e bashkësisë së komunave serbe dhe integrimin e strukturave gjyqësore e policore në veri të Kosovës.

Ai ka nënvizuar edhe rëndësinë e përparimit të vazhdueshëm në dialog, me qëllim konsolidimin e paqes dhe të stabilitetit në rajon.

Veçoria e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura në Kosovë ishte ndërrimi i pushtetit në komunën e Prishtinës nga LDK-ja tek Vetëvendosje, si dhe rezultati disi i pritshëm i fitores së kandidatëve serbë në veri të Mitrovicës, që do jetë komunë më vete. 

Top Channel