Rezultatet paraprake të KQZ-së përvijojne hartën e re të qeverisjes së komunave me shumë ndryshime në Kosovë.

“Komuna e Prishtinës, Shpend Ahmeti i Vetëvendosje 51.73 për qind të votave, Isa Mustafa i LDK-së, 48.27 për qind për qind të votave. Komuna e Pejës, Ali Berisha AAK-LDD 43.52 për qind, Gazmend Muhaxheri i LDK-së 56.48 për qind të votave”, u shpreh zëdhënësja e KQZ-së, Valdete Daka.
 
Në raundin e dytë Shpend Ahmeti i Vetevendosjes përmbysi rezultatin e raundit të parë nga nëntë mijë vota epërsi për Isa Mustafën e LDK-së, të dielën Ahmeti mori 2500 vota më shumë se kundërkandidati i tij.Humbja e LDK-së në Prishtinë nuk është befasia e vetme në këto zgjedhje.

Subjektet e vjetra politike kanë humbur bastionet e tyre duke u nisur këtu nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila ka humbur Gjakovën dhe Pejën. Në Pejë fitoi kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës Gazmend Muhaxheri me 56.48 përqind të votave. Ndërsa komuna e Gjakovës është e para në Kosovë që do të udhëhiqet nga një kryetare femër. Kandidatja e AKR-së Mimoza Kusari Lila rrëzoi nga pushteti kandidatin e AAK-së Pal Lekaj, kryetar i Gjakovës për dy mandate. Mimoza Kusari Lila fitoi rreth 2500 vota më shumë se kundërkandidati i saj.

Nga ana tjetër Partia Demokratike humbi Mitrovicën.E qeverisur prej dy mandatesh nga Partia Demokratike e Kosovës, mitrovicasit në raundin e dytë përmbysën rezultatin dhe vendosen që kryetar i tyre në katër vitet e ardhshme të jetë Agim Bahtiri nga Aleanca Kosova e Re.

Kandidati i Listes serbe Kërstimir Pantiç është fitues në Mitrovicën e Veriut. Ndërrim pushteti do të ketë edhe në Gjilan, Ferizaj e Lipjan. Të trija këto komuna nga PDK-ja i kaluan në qeverisjë LDK-së. Fituese LDK-ja rezultoi edhe në Suharekë përballë AAK-së. Qyteti i Prizrenit do të vazhdojë të qeveriset nga Partia Demokratike e Kosovës. Ramadan Muja mori rreth 3000 vota më shumë se kundërkandidati Eqrem Kryeziu. Rezultatet e KQZ-së tregojnë se në nivel Kosove PDK-ja i fitoi gjithsej 10 komuna, ndërsa LDK-ja 9.

Rezultatet për kuvendet komunale
Në krye PDK me 258 vende. Pas saj LDK dhe grupimi AKK-LDD

Komisioni Qendror Zgjedhor ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale 2013 për Kuvendet Komunale. Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, Partia Demokratike e Kosovës është e para në nivel vendi në bazë të numrit të votave dhe numrit të vendeve nëpër kuvendet komunale.

PDK ka fituar gjithësej 202 mijë e 419 vota me 258 vende, pasuar nga LDK me rreth 11 mijë vota më pak, apo 191 mijë e 362 vota me 224 vende. Më pas AAK-LDD me 104 mijë e 792 vota dhe 131 vende, lëvizja Vetëvendosje me 60 mijë e 966 vota në nivel vendi dhe me 69 vende, AKR 36 mijë e 893 vota me 41 vende, si dhe Lista Serbe e cila ka marrë 21 mijë e 761 vota me 64 vende.

Partia e Fortë ka marrë vetëm 1 mijë e 570 vota me vetëm një vend në Kuvendin Komunal të Prishtinës. SLS ka marrë 8 mijë e 284 vota apo 26 vende. Iniciativa qytetare për Malishevën ka 7 mijë e 806 vota dhe 11 vende, Iniciativa qytetare për Drenasin 3 mijë e 236 vota me 5 vende.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, e cila publikoi rezultatet përfundimtare për Kuvendet Komunale, tha se pjesëmarrja në votim ka qenë 46.31 për qind. Ndërsa bëri të ditur se nga momenti i publikimit të rezultateve përfundimtare fillon dhe afati prej 24 orësh për ankesa pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Vetëvendosje feston fitoren

4 vjet pas luftës, për herë të parë mundet Lidhja Demokratike e Kosovës në kryeqytet.

Rezultatet e zgjedhjeve në Prishtinë, tregojnë si fitues kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti me 51.73 % perkunder 48.27 % te kryetarit te deritanishem Isa Mustafa.Menjëherë pas shpalljes së këtyre rezultateve mijëra përkrahës të Vetëvendosjes janë mbledhur në sheshin “Ibrahim Rugova” për të festuar.Para qytetarëve foli plot emocion vetë, Shpend Ahmeti.

“Jo vetëm ata që kanë votuar për ne, por edhe për ata që kanë votuar për kandiatin tjetër për ne janë të barabartë. Ne nuk do të bëjmë ndarje. Prishtina i takon banorëtve të Prishtinës. Sonte Prishtina iu është kthyer juve”, tha Ahmeti.

Me emocione iu drejtua qytetareve edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Ndryshimi i madh në Kosovë nis me ndryshimin në komunën më të madhe të Kosovës. Qeverisja jonë do të jetë në shërbim të qytetarëve. Do të ishte e pamundur kjo fitore pa juve”, iu drejtua Kurti mbështetësve të mbledhur në shesh.

Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në kryeqytet është një ndër kthesat më të mëdha zgjedhore në Kosovë.Festa me flamuj kuqezi, muzikë e fishekzjarre simpatizues të këtij subjekti nga të gjitha anët e Kosovës, i janë drejtuar kryeqytetit në mënyrë të organizuar për të vazhduar festen.

Shpend Ahmeti kishte për kundërkandidat, kryetarin e deritanishëm të Prishtinës,nga LDK i cili udhëhoqi kryeqytetin për 6 vjet.

Gjatë festës së Lëvizjes Vetëvendosje, mësohet se një simpatizant ka pësuar atak kardiak. Ai është dërguar në QKUK pa shenja jete dhe nga atje është konfirmuar vdekja. Identiteti i viktimës ende nuk është bërë i ditur.

Vlerësohet procesi zgjedhor

Kryeministri i Republikës së Kosovë nëpërmjet një një njoftimi për shtyp vlerësoi mbarëvajtjen e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajt më 1 dhjetor.

Kryeministri Hashim Thaçi thotë se qytetarët e Kosovës edhe më 1 dhjetor, ashtu si edhe më 3 nëntor, me pjesëmarrjen e tyre në procesin zgjedhor dëshmuan një emancipim të lartë politik dhe demokratik.

“Mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe transparente, të organizuara mirë dhe me standardet më të larta ndërkombëtare, është sinjali më i mirë që u dërgua nga Kosova për mbarë botën demokratike, për miqtë dhe mbështetësit e proceseve demokratike në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Thaçi falënderoi qytetarët dhe të gjitha grupet politike për pjekurinë e treguar në këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të shtetit tonë.

Ndërkohë kryetari i kuvendit Jakup Krasniqi ka deklaruar se keto zgjedhje treguan se qytetarët duan ndryshime.”Unë kam qenë për ndryshime dhe konsideroj se me balotazh kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme sa i përket ndërrimit të aktorëve të qeverisjes”, ka deklaruar kryeparlamentari pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën. “E rëndësishme është se ndryshimet janë në interes të qytetarëve dhe kjo mendoj se është më e mira e mundshme që ka mund të del nga këto zgjedhje”, tha ai.

Top Channel