Nigeri, rebelët sulmojnë bazën ajrore

02/12/2013 00:00

Rebelët e fraksionit Boko Haram kanë sulmuar një bazë ajrore ushtarake në veri-lindje të Nigerisë, duke shkatërruar dy helikopterë, njoftojnë autoritetet lokale.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes deklarojnë se qindra militantë sulmuan zonat e qytetit Maiduguri, që në orët e para të ditës së hënë.

Në qytetin në fjalë është vendosur një shtetrrethim 24-orësh dhe aeroporti i tij përkohësisht është mbyllur. Korrespondenti i BBC në Nigeri deklaron se sulmi masiv i koordinuar është një goditje e rëndë për ushtrinë nigeriane.

Mijëra persona janë vrarë që prej vitit 2009, kur fraksioni Boko Haram nisi nisi fushatën e tij për të instaluar pushtetin islamik.

Në maj, një gjendje e jashtëzakonshme u shpall në shtetin e Bornos, kryeqytet i të cilit është Maiduguri, si dhe në dy shtete fqinje, ndërsa është rritur prania ushtarake në zonat më të rrezikuara.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneral brigade Chris Olukolade deklaroi se dy helikopterë dhe tre mjete të tjera ushtarake ishin dëmtuar gjatë sulmit, që është zmbrapsur nga forcat e armatosura.

Ai tha gjithashtu se disa baza ushtarake janë vënë gjithashtu në shënjestër nga rebelët dhe shtoi se 24 prej tyre janë vrarë, ndërsa 2 ushtarë janë plagosur.

Banorë të zonës thanë për agjencinë e lajmeve “AFP” se qindra rebelë islamikë të mirëarmatosur rrethuan bazën ajrore dhe disa të tjera, duke sulmuar ndërtesat dhe duke u vënë zjarrin dyqaneve dhe stacioneve të karburantit përreth.

“Unë pash një helikopter ushtarak të digjej”, tha një dëshmitar për agjencinë franceze.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB