“Dëshiroj që rivalit tim Shpend Ahmetit t;i uroj fitoren dhe sukses në punën e tij si kryetar i Prishtinës”. Pavarësisht humbjes së tij në Prishtinë, Isa Mustafa e vlerësoi pozitivsht procesin zgjedhor për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ndërsa numëroi komunat fituese, Mustafa tha se tashmë LDK-ja është rikthyer në vendin e parë. “Ne tani, me vullnetin e qytetarëve, jemi kthyer në vendin e parë, aty ku LDK meriton të jetë”, deklaroi Mustafa.

Pas humbjes në Prishtinë, kryetari i LDK-së nuk do të ofrojë dorëheqjen nga partia. Ai tha se ka për detyrim të punojë fort për fitore në zgjedhjet nacionale.

Kryetari i LDK-së theksoi se megjithë humbjen në garën për kryetar, LDK-ja është më e fortë në Kuvendin Komunal të Prishtinës, me gjithsej 18 anëtarë nga 51 gjithësej.

Kjo do të thotë se në përbërjen e Kuvendit, LDK-ja është më e fuqishme se lëvizja Vetëvendosje, një situatë që kërkon nga VV të bëjë koalicion me ndonjërën nga subjektet politike. I pyetur nga Top Channel nëse do ta mbështesë VV-në, kreu i LDK-së u përgjigj në këtë mënyrë.

“Ne do angazhohemi me përkushtim që puna në kuvendin e komunës të zhvillohet mirë dhe që tranzicioni i pushtetit të bëhet në mënyrën sa më të mirë, pasi puna në komunën e Prishtinës është punë për qytetarët”, theksoi Mustafa.

Shpend Ahmeti u zgjodh të dielën kryetar i Prishtinës me 51.73 për qind të votave. Sipas rezultateve të KQZ-së, Vetëvendosje do të përfaqësohet në Kuvendin Komunal të Prishtinës nga 10 vetë.

Top Channel