Islandë, policia vret për herë të parë

02/12/2013 00:00

Policia e Islandës ka qëlluar për vdekje një person që po qëllonte me një pushkë të tipit shotgun në apartamentin e tij. Është hera e parë që dikush vritet në një operacion të armatosur të policisë në Islandë, kanë deklaruar autoritetet lokale.

Fillimisht bomba gazi u hodhën përmes dritares në shtëpi, në përpjekje për të bindur 59-vjeçarin që të ulte armët. Personi në fjalë jetonte në lindje të kryeqytetit Rejkjavik.

Pasi tentativat e para kanë dështuar, ai është qëlluar pasi ka qëlluar i pari ndaj forcave të rendit që po hynin në ndërtesë. Në operacion morën pjesë nga 15 deri në 20 agjentë.

Policia u mbështet nga forcat speciale. Bombat e gazit u përdorën pasi personi, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, dështoi t’u përgjigjej përpjekjeve të policisë për të folur me të dhe vazhdoi të qëllonte.

Kur ata hynë në apartament, dy anëtarë të forcave speciale mbetën të plagosur nga të shtënat, njëri në fytyrë ndërsa tjetri në dorë. Autori, i cili vdiq pak momente më vonë në spital, mendohet se jetonte vetëm dhe për momentin motivet e veprimit të tij janë të paqarta.

“Policia pendohet për këtë incident dhe do të donte t’i bënte ngushëllimet e saj familjes së të ndjerit. Kjo ishte një ngjarje e papreçedentë”, deklaroi shefi i policisë së Islandës, Haraldur Johannessen.

Banesat në bllokun ku ndodhi ngjarja u evakuuan pasi autoritetet vlerësuan se fqinjët e personit ishin në rrezik, saktësoi zyrtari i lartë i forcave të rendit.

Islanda, me një popullësi prej 322 mijë banorë, ka një nga kuotat më të ulëta të krimit në botë dhe incidentet e armatosura janë shumë të rralla. Megjithatë, vendi ka një njësi speciale.

Një hetim po zhvillohet për të vlerësuar sjelljen e policisë në këtë operacion dhe për të zbuluar se përse personi po qëllonte me armë, njoftuan me tej autoritetet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB