E dashura e Walker e shokuar, nuk pranon realitetin

02/12/2013 18:00

E dashura e aktorit Paul Walker është duke përjetuar shumë keq vdekjen e protagonistit të “Fast & Furious”, raportoi të hënën “Daily Mail”.

Jasmine Pilchard-Gosnell mësoi lajmin e vdekjes së njeriut të saj të zemrës në mënyrë traumatike dhe të papritur, ashtu si të gjithë fansat e Walker dhe sipas të afërmve të saj, 23-vjeçarja nuk po arrin të pranojë realitetin.

Që prej momentit tragjik, Jasmine është mbyllur në shtëpi, nën kujdesin “non stop” të familjarëve të saj të shqetësuar për ndonjë veprim të paarsyeshëm që vajza mund të realizojë në këtë moment pakthejlltësie dhe tronditje psikike.

Për të renë, Paul ishte njeriu i jetës që prej moshës 16-vjeçare, kur ata nisën të shoqëroheshin së bashku.

Marrëdhënia kishte zgjatur për shtatë vjet me radhë dhe Walker e Gosnell ishin duke planifikuar martesën dhe jetën që i priste së bashku.

“Paul ishte një njeri i mrekullueshëm dhe Jasmine është e shkatërruar në këtë moment. Ishin bashkë për Ditën e Falenderimeve, luajtën golf dhe kaluan një ditë të shkëlqyer, vetëm një ditë përpara atij aksidenti. Edhe ata kishin ulje-ngritjet e tyre si çdo çift, por ishin të sigurt që i priste një e ardhme e ndritur së bashku. Për Jasmine, ky është momenti më i rëndë i jetës”, deklaroi Barton Bruner, xhaxhai i vajzës.

Paul Walker, 40 vjeç, ndërroi jetë mëngjesin e së dielës, pasi automjeti i drejtuar nga një mik i tij u përplas me shpejtësi me një pemë dhe shpërtheu në flakë, ndërsa të dy po ktheheshin nga një mbrëmje bamirësie.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA