Lideri i protestuesve në Tajlandë, Suthep THaugsuban, tha se është takuar me kryeministren Yingluck Shinawatra dhe i ka dhënë asaj një ultimatum 2-ditor për “t’i rikthyer popullit pushtetin”.
Suthep tha se takimi është mbajtur nën mbikqyrjen e ushtrisë dhe nuk ka pasur asnjë kompromis të arritur. Ai nuk tha se çfarë veprimesh do të ndërmarrë, nëse ultimatumi do të shpërfillet.
Në ditën e 8-të të veprimtarisë për të rrëzuar kryeministren, policia “theu” protestat dhe demonstruesit që zbritën në disa zona kyçe të Bangkokut. 4 persona kanë mbetur të vdekur gjatë trazirave, ndërsa dhjetra të tjerë janë plagosur.
Protestuesit kanë deklaruar të dielën si ditën decizive të fitores, të asaj që ata e përkufizuan si “grusht shteti të popullit”.
Ata thonë se administrata e Yingluck kontrollohet nga vëllai i saj, ish-lideri i rrëzuar Thaksin Shinawatra, ndërkohë që duan ta zëvendësojnë atë me një “Këshill Popullor”.
Suthep tha se ishte takuar me kryeministren në një vend sekret, në prenzencë të komandantëve të ushtrisë, marinës dhe forcave ajrore.
“Nuk ka pasur negociata apo kompromise”, është cituar të ketë thënë Suthep. “I kam thënë Yingluck se kjo ishte hera e vetme dhe e fundit që takohesha me të, deri sa pushteti të dorëzohet te populli. Nuk do të ketë pazare, ndaj dhe kjo duhet të përfundojë brenda 2 ditësh”.
Tajlandë, ushtria në rrugë
Nuk ka qetësim të situatës ne Tajlandë,
përkundrazi, në rrugët e kryeqytetit Bangkok janë vendosur trupa
ushtarake për të mbrojtur institucionet.
Protestat u kthyen në vdekjeprurëse në kryeqytetin tajlandez, ndërsa kryeministrja Yingluck Shinawatra ofroi të zhvillojë bisedime me demonstruesit që po përpiqen të detyrojnë largimin e saj nga posti. Të shtënat u dëgjuan pranë një stadium sportiv në Bangkok, ndërsa policia tha se një person u vra dhe të paktën 10 të tjerë janë plagosur.
Dhuna shpërtheu pasi protestuesit anti-qeveritarë sulmuan njerëzit që po mblidheshin në një miting pro qeverisë. Më shumë se 1 mijë protestues u mblodhën në Bangkok të dielën, si pjesë e një jave demonstratash dramatike. Protestuesit u përpoqën të hynë në zyrat qeveritare dhe sulmuan një autobuz dhe disa makina.
Protestuesit kanë qëndruar në çadra jashtë një kompleksi zyrash qeveritare pasi qindra prej tyre hynë me forcë në një kompleks ushtarak të premten, para se të largoheshin paqësisht.
Drejtuesit e opozitës thanë se e diela do të jetë dita e fitores dhe u kanë bërë thirrje mbështetësve të tyre të rrethojnë zyrën e kryeministrit. Ata kanë premtuar të marrin kontrollin e çdo ministrie deri sa kryeministrja Yingluck Shinawatra të jape dorëheqjen.
Por, jo të gjithë janë dakort me taktikat e opozitës për ta detyruar kryeministren të largohet. Kryeministrja Yingluck i mbijetoi një votbesimi në parlament të enjten. Kryeministrja ka refuzuar të largohet dhe ka bërë thirrje për dialog për të zgjidhur situatën. Ajo ka premtuar se nuk do të përdorë dhunë për të ndalur protestat.
Demonstratat e fundit u nxitën disa javë më pare nga një projektligj amnistie që do ta kishte lejuar ish-kryeministrin Thaksin Shinawatra – vëllain e zonjës Yingluck – të kthehet në vend dhe të mënjanojë një dënim prej dy vjetësh në burg për korrupsion.
Senati e kundërshtoi projektligjin, por protestat kanë vazhduar.
Top Channel