Konflikti për ishujt përshkallëzohet

01/12/2013 20:20

Agresiviteti i Kinës në Detin e Kinës Lindore dhe ngërçi që ka krijuar me fqinjët përshkruhet nga ekspertët si konflikt për influencën në rajonin e Paqësorit.

Situata njohu një tjetër përshkallëzim, me dërgimin e disa avionëve luftarakë të Pekinit dhe një sistemi paralajmërues në zonë.

Zyrtarisht, bëhet fjalë për sigurimin e një zone ajrore të mbrojtur dhe mjaft të kontestuar. Por, askush nuk e fsheh në Pekin, se masat e reja drejtohen, para së gjithash, kundër Japonisë dhe duan të mëshojnë edhe njëherë pretendimet kineze mbi ishujt Diaoyu.

Për këto arsye, Kina nuk është e gatshme t’u përgjigjet kërkesave për tërheqjen e vendimit.

“Japonia e ka ngritur në vitin 1969 zonën e saj ajrore të mbrojtur dhe nuk ka asnjë të drejtë të prononcohet në mënyrë të papërgjegjshme për zonën kineze”, shprehet zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Yang Yujun. “Po qe se bëhet fjalë për tërheqjen nga të tilla vendime, këtë hap duhet ta marrë së pari Tokio. Ne do të presim pastaj 44 vjet”, shton ai.

Në një koment të gazetës nacionaliste “Global Times” shkruhet se Kina është e gatshme të konfrontohet me Japoninë. Qëllimi është thyerja e vullnetit japonez. Kinës i intereson që të vërë në pikëpyetje pretendimet japoneze mbi këtë grup ishullor dhe të riformojë, sipas oreksit të saj, arkitekturën e re të sigurisë.

Por, David Zëeig, politolog nga Hong Kongu, është i mendimit se qeveria kineze i ka bërë këtë herë llogaritë gabim.

“Pekini vërtet ka të drejtën ta krijojë një zonë të tillë, por momenti ishte i papërshtatshëm dhe e bën Kinën të shfaqet agresive. Të gjitha vendet në Azinë Lindore janë të shqetësuar, përsa i përket Kinës në fuqizim e sipër. Ajo shfaqet si një fuqi paqësore dhe të gjithë shpresojnë që të jetë vërtet kështu. Por, prononcimet janë provokative dhe kjo i bën fqinjët edhe më nervozë”, arsyeton ai.

Japonia nuk është vendi i vetëm, me të cilën Kina ka probleme. Edhe në Detin e Kinës Jugore ka konflikte territoriale me Filipinet. Aty ekziston frika se Kina do të ngrejë një tjetër zonë të re të mbrojtur ajrore dhe duket se nuk është e pajustifikuar.

Vet zëdhenësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Qin Gang, nuk e përjashtoi një mundësi të tillë, e tha se Pekini do t’i bëjë të ditura qëllimet e tij, kur të kenë marrë fund të gjitha përgatitjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA