BE rishikon ndalimin e shitjes së automjeteve me djegie të brendshme, mirëpret hibridet dhe biokarburantet
Përleshjet kanë shpërthyer në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok, ku janë përfshirë protestues pro dhe anti-qeveritarë. Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.
Personat e drejtuar për në tubimin pro-qeveritar janë sulmuar nga studentët dhe më vonë është qëlluar edhe me armë zjarri, ku për rrjedhojë një student është vrarë dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.
E shtuna ka qenë dita e shtatë e protestave që synojnë të largojnë qeverinë e drejtuar nga kryeministrja Yingluck Shinawatra. Protestuesit deklarojnë se kabineti i saj kontrollohet nga i vëllai, ish-lideri që jeton në mërgim, Thaksin Shinawatra.
Ky i fundit u rrëzua në një grusht shteti në vitin 2006 dhe tani jeton jashtë vendit. Ai është një nga figurat më të njohura të politikës tajlandeze dhe mbetet shumë popullor mes elektoratit rural, ndërsa kundërshtarët e tij synojnë elektoratin urban dhe atë të klasit të mesëm.
Gjatë së shtunës, ajo që dukej si një manifestim i qetë u kthye në një përplasje të dhunshme jashtë një stadiumi, ku protestuesit pro-qeveritarë ishin mbledhur vazhdimisht gjatë javës për të shmangur përplasjen me ata anti-qeveritarë që lëviznin nëpër qytet.
Një grup studentësh sulmuan automjetet duke thyer dritaret dhe xhamat e tyre, ndërsa disa persona mbetën të lënduar derisa erdhën forcat e policisë, të cilat bllokuan rrugët. Më vonë u dëgjuan të shtënat dhe tre studentë u dërguan në spital për shkak të plagëve të marra, ku një prej tyre humbi jetën.
Tensioni po rritet në Bangkok, me lëvizjet anti-qeveritare që po përgatiten për atë që e quajnë “revolta e popullit”, një pushtim masiv i selive qeveritare nëpër kryeqytet.
Top Channel