Skoci, helikopteri bie mbi pub, 8 të vdekur

30/11/2013 00:00

Një helikopter është përplasur mbi çatinë e një “pub”-i orët e vona të së premtes, në qytetin skocez të Gllasgout duke shkaktuar vdekjen e 8 personave dhe plagosjen e të paktën 32 të tjerëve.

Fotot e publikuar në mediat sociale treguan skenën kaotike, përfshirë disa zjarrfikës që nxitonin drejt vendngjarjes, në një ndërtesë 1-katëshe. Aty shfaqeshin pamje nga “The Clutha”, një lokal me muzikë “live”, sipas faqes zyrtare të këtij “pub”-i në Facebook.

Policia e Skocisë konfirmoi rrëzimin e helikopterit të shërbimeve të tyre, ku gjendeshin 2 oficerë policie dhe një civil, ndërkohë që 5 viktimat e tjera ndodheshin brenda në pub. 

Llogaria në Twitter e “Police Roll of Honour Trust”, një grup i dedikuar përkujtimit të policëve të vrarë, theksonte se helikopteri i rrëzuar i përkiste policisë, edhe pse nuk dihet ende se pse, apo çfarë po bënte ai në atë moment.

Imazhet e postuara online treguan forcat e policisë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, “Daily Mail” njoftoi se 5 viktimat civilë po festonin brenda lokalit gjatë natës.

Faqja e “The Clutha” në Facebook përmban një sërë postimesh nga njerëzit e shqetësuar për incidentin. “Qëndroni të gjithë me këtë ngjarje, nuk është koha të mendojmë për të tjerët tashmë”, shkroi një person. “Njerëzit duan ndihmë”.

Kryeministri britanik, David Cameron, shkroi gjithashtu në Twitter për këtë situatë. “Mendimet e mia janë me këdo që është prekur nga rrëzimi i helikopterit në Glasgow, si dhe me shërbimet e emergjencave që punojnë sot”, tha ai.

Edhe lideri i partisë Laburiste, Ed Miliband, reagoi pas mësimit të lajmit, duke thënë se “ka mësuar mbi një lajm shokues nga Gllasgou. Mendimet e mia janë me ata që mund të jenë lënduar”.

Ndërsa gjatë pasdites edhe mbretëresha Elizabeth u shpreh e pikëlluar duke thënë se mendimet dhe lutjet e saj janë për viktimat e aksidentit.

Top Channel