SHBA: Kompanitë të vëzhgojnë zonën e Kinës

30/11/2013 05:00

Linjat ajrore komerciale amerikane duhet të vëzhgojnë me kujdes kërkesën e Kinës për t’u informuar mbi çdo avion që futet në hapësirën e deklaruar së fundi të mbrojtjes ajrore, bëri të ditur Departamenti i Shtetit.

Pentagoni kishte theksuar më herët se forcat ushtarake amerikane do të vazhdojnë operacionet normale, pavarësisht përpjekjeve të avionëve luftarakë kinezë për të monitoruar avionët amerikanë dhe japonezë mbi këtë zonë.

Njoftimi i Kinës, fundjavën e kaluar, se do të zgjeronte zonën identifikuese të mbrojtjes ajrore (ADIZ) mbi ishujt e kontestueshëm nga Kina dhe Japonia, është shpërfillur nga disa vende, ndërkohë që bombarduesit amerikanë B-52 u futën gjithashtu në zonë.

“Ne kemi fluturime tranzit në mënyrë të vazhdueshme përgjatë hapësirës ndërkombëtare ajrore në Paqësor, përfshi edhe zonën që Kina e ka futur në ADIZ-in e vet”, tha zëdhënësi i Pentagonit, kolonel Steve Warren, të premten.

“Këto fluturime janë në përputhje me lirinë amerikane të politikave të lëvizshmërisë, politika afatgjata dhe të mirënjohura, që aplikohen në shumë zona operacioni në të gjithë botën. Mund të konfirmoj se Shtetet e Bashkuara kanë operuar dhe do të vazhdojnë të operojnë në këtë zonë normalisht”.

Pëlqimi për fluturimet komerciale “nuk nënkupton pranimin e qeverisë amerikane të kërkesave të Kinës, për operimet mbi zonën e re të deklaruar të mbrojtjes”, thuhej në deklaratën e DASH.

Duke i bërë jehonë deklaratave të mëparshme nga administrata e mbrojtjes së presidentit Obama, DASH njoftoi se SHBA-të janë “thellësisht të shqetësuara” nga deklarimi i Kinës mbi atë zonë.

Japonia, Korea e Jugut, SHBA-të por edhe shtete të tjera kanë akuzuar Pekinin se po rrit tensionet rajonale, me deklarimin e zonës së re të mbrojtjes ajrore.

Por, ngritja e disa aeroplanëve luftarakë nga Kina, përfshi të paktën 2 avionë luftarakë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua, përbën kërcënim dhe rrit shanset për përshkallëzim të tensioneve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA