“Obamacare”, presidenti mbron “trashëgiminë”

30/11/2013 02:00

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka mbrojtur reformën ligjore të Kujdesit Shëndetësor, të njohur si “Obamacare”, duke thënë se ajo mund të jetë një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së tij.

Në një intervistë televizive, Obama pranoi se problemet me faqen e internetit kanë ndikuar në popullaritetin e tij, por tha se çdo president ka kaluar nëpër momente të vështira.

“Obamacare” ka pasur për qëllim të rrisë mbulimin me sigurime shëndetësore edhe për rreth 15% të amerikanëve, që nuk kishin mundësi të përfitonin. Qeveria ka vendosur 30 nëntorin si afat përfundimtar për të përmirësuar uebsajtin. Obama shtoi se prioriteti i tanishëm i tij është sigurimi që faqja do të funksionojë.

Ndërkohë që afati limit po afrohet, faqja kontroverse “HealthCare.gov”, u mbyll gjatë natës së të premtes për një periudhë prej 11 orësh, për mirëmbajtje dhe përmirësime të sistemeve “software” dhe “hardware”. Uebi pritet të rikthehet në funksionim rreth orës 08:00 me orën lokale (14:00 me tonën) të ditës së shtunë.

Në një intervistë për “ABC News”, presidenti Obama tha se ende beson se Akti për Kujdes të Përballueshëm do të kontribuojë në mbajtjen e premtimit të tij kryesor, për dhënien e kujdesit shëndetësor për më shumë amerikanë.

“Ende vazhdoj të besoj dhe jam absolutisht i bindur se, në fund të ditës, njerëzit do rishohin punën që kemi bërë ne, për t’u siguruar se në këtë vend njerëzit nuk do të falimentojnë nëse sëmuren, si dhe familjet amerikane ta kenë të siguri”, shtoi presidenti Obama. “Kjo reformë do të jetë një trashëgimi, për të cilën unë jam jashtëzakonisht krenar”.

“Obamacare” është kritikuar vazhdimisht nga kritikët e partisë Republikane, si dhe nga shumë kompani private të sigurimeve shëndetësore, të cilët thonë se ajo është shumë e shtrenjtë dhe një ndërhyrje e pajustifikuar në marrëdhëniet e bizneseve private dhe individëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA