Meksikë, trafikantët varin dy vajza

30/11/2013 00:00

Dy vajza, njëra 18 dhe tjetra 16 vjeç janë varur në një urë në qytetin Fresnillo, në shtetin meksikan Zakatekas. Më pas ka ardhur dhe marrja përsipër e përgjegjësisë, si për të justifikuar barbarinë.

“I vramë sepse po bashkëpunonin me Los Zetas”, ishte deklarata e Kartelit të Gjirit. Natyrisht ky është versioni i parë dhe ndoshta mund të ketë të tjerë në një qytet të përfshirë nga frika.

Duket se familjet e viktimave, të tmerruara nga hakmarrja e mëtejshme, i kanë kërkuar policisë që të mos e hetojë ngjarjen. Një lajm ky nga mediat lokale, por që mbetet për t’u verifikuar.

Sipas burimeve, karteli Los Zetas janë angazhuar në pushtimin e qytetit Fresnillo, por ofensiva e tyre ka hasur në reagimin mizor të kundërshtarëve historikë, që janë përgjigjur me dhjetëra rrëmbime dhe prita.

Një situatë e ngjashme është edhe në qytetin La Barka të shtetit të Jaliskos. Në një varr masiv u gjetën kufomat e 58 personave, të gjithë të torturuar dhe të vrarë.

Kufomat janë gjetur pas arrestimit të rreth 20 agjentëve të policisë të lidhur me narkotrafikantët. Disa prej tyre kanë dhënë informacione që mundësuan zbulimin e trupave.

Në rajonin e Jaliskos bëjnë lufte prej vitesh kartele të ndryshme, nga Gjenerata e Re deri tek Kalorësit Templarë. Përveçse trafikojnë drogë dhe minerale, grupimet janë përfshirë në konflikte të egra.

Galeria e horroreve mbyllet me vrasjen e një prifti dhe asistentit të tij në shtetin e Verakruzit. Për momentin nuk dihen motivet e këtij krimi.

Top Channel