Kiev, policia shpërndan me dhunë protestuesit

30/11/2013 00:00

Qindra protestues në Kiev të Ukrainës janë shpërndarë me forcë nga policia që përdori shkopat e gomës dhe gazin lotsjellës ndaj atyre që kërkojnë nga qeveria të nënshkruajë marrëveshjen e asocimit me Bashkimin Europian.

Policia e kryeqytetit ukrainas ka bërë të ditur se i është dashur të pastrojë Sheshin Pavarësia pas “disa incidenteve”, por pa specifikuar këto incidente.

Aktivistët deklaruan se rreth 1000 protestues u grumbulluan në shesh, shumica e tyre studentë: “Ishte e tmerrshme. Ne po zhvillonim një protestë paqësore dhe policia na sulmoi. Na hodhën si plehra.”

Agjensia Reuters theksoi se mes të plagosurve janë edhe fotografi e kameramani i saj.

Liderët ukrainas shpallën papritur gjatë javës së kaluar se do të tërhiqeshin nga një marrëveshje me BE-në, për shkak se, siç thanë ata, vendi nuk mund të përballojë thyerjet tregtare me Rusinë.

Qeveria ruse ka punuar agresivisht për të prishur marrëveshjen Ukrainë-BE, si dhe afrimin e ish-vendit sovietik në Bashkimin Doganor të dominuar nga Moska.

Një nga kërkesat kyç të BE-së për nënshkrimin e marrëveshjes ishte lirimi i ish-kryeministres, Yulia Tymoshenko, burgosja e së cilës shihet nga Perëndimi si e politizuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB