Një ditë para balotazhit për zgjedhjet lokale në 25 komuna kosovare, presidentja Atifete Jahjaga zhvilloi takime me përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për organizimin, mbarëvajtjen dhe sigurinë e raundit të dytë.

Presidentja tha se, më 3 nëntor Kosova dëshmoi pjekurinë politike dhe nivelin e demokratizimit të shoqërisë, por theksoi se mbarëvajtja e zgjedhjeve për balotazh është një test edhe më i rëndësishëm për vendin. Jahjaga theksoi se të dielën Kosova ka testin përfundimtar dhe duhet ta kalojë atë.

“Zgjedhjet e 1 dhjetorit duhet të dëshmojnë se Kosova është shtet i së drejtës dhe shtet i qytetarëve të barabartë. Duhet të dëshmojë integrimin e secilit qytetar në shoqërinë dhe institucionet e vendit, edhe të atyre të komunitetit serb në veri të territorit të Republikës. Dhe kjo do të përmbyllë një kapitull të kundërshtive mes nesh, duke i bërë të gjithë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe duke hapur perspektivën e integrimeve evropiane”, deklaroi Jahjaga.

Më tej presidentja tha se, qytetarët sërish do të votojnë dhe insitucionet përgjegjëse duhet të sigurojnë që ata të kenë votim të lirë. Në anën tjetër, insitucionet e rendit dhe sigurisë tashmë janë gati për mbikëqyrjen e zgjedhjeve të balotazhit.

“Duhet të garantojmë zgjedhje të qeta e demokratike, zgjedhje të ndershme dhe të drejta, ku vota e secilit qytetar të jetë e paprekshme, e pacenueshme dhe e lirë”, tha Jahjaga.

Top Channel