Institucionet vendase dhe ndërkombëtare të sigurisë shprehen të gatshme për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e zgjedhjeve lokale të balotazhit që do të zhvillohen të dilelen në gjithësej 25 komuna të Kosovës.

Për të parandaluar çdo incident të mundëshëm, ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi ka deklaruar se institucionet kosovare do të ndalojnë këto ditë çdo vizitë të përfaqsuesve serbë në Kosovë.

“Nuk do të ketë mundësi për arsye se do të respektohen të gjitha rregullat, që edhe dita e heshtjes dhe ajo e votimeve të mos shkelen”, ka deklaruar Rexhepi.

“Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i janë përgatitur që të ndërhyjnë menjëherë nëse kërcënohet procesi zgjedhor apo rrezikohet qetësia dhe siguria e votuesve, anëtarëve të komisioneve zgjedhore, lehtësuesve të OSBE-së apo vëzhguesve”, thuhet ndërkohë në një njoftim të EULEX.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi ka falënderuar gjithë spektrin politik për fushatën zgjedhore. Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri tha se Kosova do të dërgojë mesazhin më të mirë tek bashkësia ndërkombëtare dhe sipas tij, edhe në veri të vendit do të zhvillohen zgjedhje korrekte, të lira dhe pas 1 dhjetorit edhe ajo pjesë do të ketë liderët legjitimë të tyre.

“Nga 1 dhjetori do të kemi liderët legjitimë edhe në veri të Kosovës. Do të vlerësohen nga ana jonë si zgjedhje legjitime, sepse të tilla janë, dhe do të fillojë një jetë e re edhe për veriun e Mitrovicës, me liderë legjitimë. Qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë me liderët e ardhshëm, të zgjedhur prej qytetarëve, në mënyrë që të investojmë edhe në planin socio-ekonomik për të ndryshuar jetën e qytetarëve atje për më mirë”, ka vlerësuar Thaçi.

Ndërkohë, kandidati i SDP-së për të parin e Mitrovicës së Veriut, Oliver Ivanoviç ka deklaruar se në veri ka tensione. Sipas tij, votuesit po kërcënohen nga Lista ‘Srpska’.

Misioni i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve ka shpërndarë 31 vëzhgues afatshkurtër në tërë Kosovën. Gjithësej numri i vëzhguesve të BE-së në ditën e zgjedhjeve do të jetë 71.

Top Channel