Në një tubim modest, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Prishtinën, Isa Mustafa, u kërkoi për herë të fundit votën kryeqytetasve.

“Unë kam një bindje dhe e kam vërtetuar atë për 6 vjet, sa po punoj së bashku me ju në Prishtinë, se qeverisja e këtij qyteti nuk është çështje individi apo grupi, por është çështje e qytetarëve të Prishtinës. Si LDK, ne kemi vërtetuar se e kemi ngritur dhe do ta ngremë në piedestalin më të lartë kultin e njeriut, të dëshmitarit, të secilit prej nesh”, u shpreh Isa Mustafa.

Mustafa, gjatë daljes së fundit elektorale para balotazhit, nuk komentoi asgjë për ashpërsimin e fushatës ditët e fundit, por tha: Të gjithë janë çuar peshë kundër LDK, sepse na kanë frikë! Sipas Mustafës, qytetari duhet të votojë për LDK, sepse ajo është dinjiteti dhe, duke votuar LDK, secili i bën nder vetes.

***

Me kritika të ashpra ndaj kryetarit aktual të Prishtinës, Isa Mustafa, mbylli fushatën Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë.

Kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, tha se Isa Mustafës i ka ardhur koha për pension, e në këtë mënyrë edhe t’i hiqen duart nga xhepat e popullit. Akuzat, Kurti i vazhdoi duke thënë se po hasim dy lloj politikanësh në vendin tonë, politikanë të cilët vjedhin me vëllezër dhe ata që vjedhin me djemtë e tyre.

Ai ftoi qytetarët të votojnë Shpend Ahmetin, si politikan – siç tha ai – që i nevojitet Prishtinës.

“Të dielën e 1 dhjetorit, banorët e Prishtinës nuk do të votojnë për atë, që e shndërron tokën bujqësore në terren betoni, por do të votojnë për Shpendin, që bujkut i kthen arën dhe arës i kthen rendimentin. Këtë të diel, banorët e Prishtinës nuk do të votojnë atë, që pjeston buxhetin për vete, por do të votojnë për Shpendin, që do të rrisë buxhetin për qytetarët. Të dielën e 1 dhjetorit, qytetarët e Kosovës nuk do të votojnë për komunën e interesave private e leverdisë personale, por do të votojnë Shpendin për kryetar të interesit publik e të mirës së përgjithshme, e kurrsesi të leverdisë personale”, deklaroi Albin Kurti.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, për herë të fundit u bëri thirrje qytetarëve të votojnë më 1 dhjetor për ndryshime në kryeqytet.

***
Në këtë fund fushate, zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë drejtuar akuza ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, – siç kanë thënë ata, – për blerje industriale të votave me parà të pista.

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një konferencë për mediat, ka thënë se, përkundër kulturës së lartë demokratike të dëshmuar nga qytetarët e Kosovës, procesi zgjedhor është karakterizuar edhe me shkelje ligjore dhe akte të turpshme, të ndërmarra kryesisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Sot, jemi këtu, për të dënuar fuqishëm blerjen industriale të votave anekënd Kosovës, që LDK po zhvillon që nga raundi i parë e deri më tani, edhe para balotazhit. Ky manipulim i turpshëm, tanimë edhe i faktuar me dëshmi konkrete, bëhet krahas shkeljeve ligjore, që LDK i ka bërë në vazhdimësi, siç ishte edhe vjedhja e votave nga militantët e LDK-së, gjatë numërimit të votave në KQZ”, tha Memli Krasniqi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Sa i përket balotazhit të 1 dhjetorit, Krasniqi ka thënë se presin, që procesi të zhvillohet në pajtim me ligjin dhe ka ftuar qytetarët, që të mos bien prè e manipulimeve.

***
Me një mori akuzash dhe tone tepër të ashpra përfundoi balotazhi në Gjakovë. Në qytetin me një ndër garat më të forta të kësaj të diele, AAK dhe AKR akuzojnë njëra-tjetrën për tentativa manipulimi.

AAK, që kandidon me Pal Lekajn, kryetarin aktual, akuzon AKR dhe kandidaten Mimoza Kusari Lila, se po përgatisin skenar vjedhjeje, duke falsifikuar dokumentet e bashkatdhetarëve.

Ndërsa nga kampi i AKR iu kundërpërgjigjen, duke i cilësuar shpifje e duke u bërë thirrje gjakovarëve të mos bien prè e provokimeve. Po ashtu, tonet e ashpra kanë mbizotëruar edhe debatet e tyre e intervistat televizive.

“Ai ka qenë një nga kryetarët, që do të mbahet mend për mungesë të bashkëpunimit të tërësishëm. Unë vet kam qenë ministre e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe zëvendës/kryeministre, dhe sa herë kam tentuar të bashkëpunoj me komunën e Gjakovës, jo vetëm kam hasur në mosbashkëpunim, por edhe në pengesa të drejtpërdrejta të projekteve të mia. Pengesa për qendrën inovative, mosbashkëpunim për zonën ekonomike, të njëjtën përvojë e ka edhe ministri i Bujqësisë, në kuadër të granteve për bujqësi, Ministria e Infrastrukturës etj. Është fatkeqësi, që komuna e Gjakovës është udhëhequr nga një njeri destruktiv, që ka zgjedhur të bëjë politikë për partinë e tij, duke viktimizuar Gjakovën”, është shprehur Mimoza Kusari-Lila, kandidate e AKR për Gjakovën.

“Qytetarët, mendoj se do të dalin si asnjëherë më parë dhe do të vulosin edhe fitoren time të tretë, meqë jemi në nëntorin e tretë, që përputhet edhe me mandatin tim, dhe ne gjithsesi do dalim fitues. Ka një diferencë, por mendoj se ajo do të tejkalohet, sepse elektorati i PDK-së dhe LDK-së janë më së shumti mbështetës të mi dhe, të dielën, unë do të kem një diferencë po aq sa e ka rivalja ime tani”, tha Pal Lekaj, kandidat i AAK-së për Gjakovën.

***
Akuza vijnë edhe nga komuna e re, ku të dielën ka balotazh, Mitrovica e Veriut. Votuesit po kërcënohen nga “Lista Srbska”. Kështu deklaron kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut nga SDP, Oliver Ivanoviç.

Pavarësisht situatës së tensionuar, Ivanoviç nuk beson se do të përsëritet skenari i dhunshëm i 3 nëntorit. Kjo, sipas tij, për arsye të forcave të shtuara policore, në veri të vendit.

“Mund të ketë sprovë për strukturat e sigurisë, në orët e para të mëngjesit dhe para mbylljes së qendrave, sepse atëherë ekziston rreziku i rritjes së tensioneve, veçanërisht nëse pala kundërshtare nuk do të arrijë suksesin e pritur. Këtë, që po ua them juve, ua kam thënë edhe përfaqësuesve të OSBE-së dhe KFOR-it. Me rëndësi është, që ata të jenë prezent, por jo krejt afër qendrave të votimit, për të krijuar një imazh të një gjendjeje të jashtëzakonshme”, tha Oliver Ivanoviç, kandidat për Mitrovicën e Veriut.

Sa i përket bisedimeve të hapura ose edhe të fshehta me ish-kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Agim Devën, për një koalicion të mundshëm, Ivanoviç u shpreh se është situatë e ndjeshme tani, për ta bërë një gjë të tillë.

Top Channel