Ashpërsimi i gjuhës mes kandidatëve në garë për balotazh mund të dekurajojë votuesit. Kështu u vlerësua nga rrjeti i OJQ-ve Demokracia në Veprim.

Në një konferencë për media, Demokracia në Veprim u bëri thirrje partive politike të kursehen nga fjalori shfrenues, i cili mund të sjellë tensione.

“Ajo që është vërejtur kohëve të fundit është një ashpërsim i gjuhës dhe fjalorit mes kandidatëve që garojnë për balotazh. DV vlerëson se gjuha e ashpër e përdorur ditëve të fundit mund të ndikojë në demotivimin e votuesve për të marrë pjesë në zgjedhjet për balotazh më 1 dhjetor”, deklaroi Shqipe Pantina.

“Sjelljet e tilla të subjekteve politike, po ashtu po rrezikojnë që të krijohet tension. Prandaj, ne iu bëjmë thirrje partive politike dhe kandidatëve që të kursehen nga fjalori fyes dhe shfrenues dhe të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë dhe mbarëvajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve”, vijoi aktivistja.

Pjesëmarrja e ulët e grave në tubimet zgjedhore, përdorimi i aseteve publike për qëllime të fushatës, ku vazhdojnë të përdoren makinat qeveritare, si dhe prania e fëmijëve në tubimet elektorale ishin disa nga shkeljet që u vunë re gjatë fushatës së balotazhit.

Top Channel