SHBA-të sigurojnë: Në mbrojtje të Japonisë

28/11/2013 00:00

Japonia ka marrë mbështetjen nga aleatët e tyre më të afërt, Shtetet e Bashkuara, pas mosmarrëveshjeve gjithnjë e në rritje me Kinën për ishujt e shumëdiskutuar në Detin e Kinës Lindore, pas zaptimit të hapësirës ajrore nga Pekini.

Chuck Hagel, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, i tha homologut të tij japonez, përmes një telefonate të kryer të mërkurën, se traktati i mbrojtjes mes dy kombeve mbulon edhe grupin e ishujve të vegjël, ku Kina vendosi një hapësirë të re mbrojtjeje javën e kaluar.

Hagel “përgëzoi qeverinë japoneze për tregimin e një përmbajtjeje të përshtatshme”, u bë e ditur nga një zëdhënës i Pentagonit.

Deklarata e Kinës ka shtuar tensionet mbi ngërçin territorial mes Pekinit dhe Tokios, sa i përket ishujve të pretenduar nga të dyja palët.

Disa ekspertë thonë se lëvizja e Kinës kishte për qëllim të ulte pretendimet e Tokios për kontrollin administrativ mbi zonën në fjalë, përfshi edhe ishujt e vegjël të pabanuar, të njohura si Senkaku nga Japonia dhe Diaoyu nga Kina.

Washington-i nuk dëshiron të pozicionohet mbi sovranitetin e ishujve në fjalë, por njeh kontrollin administrativ të Tokios mbi to dhe se për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara janë të detyruara të mbrojnë Japoninë në rast të një konfikti të mundshëm të armatosur.

SHBA-të sfiduan kërkesën e Kinës se çdo avion që do të kalojë mbi apo pranë këtyre ishujve duhet të njoftojnë më herët autoritetet kineze, duke ngritur në fluturim 2 bombardues B-52 të paarmatosur mbi ishuj, gjatë së martës, pa informuar Pekinin.

Ministria e Mbrojtjes së Kinës njoftoi se kishte monitoruar bombarduesit amerikanë. Ndërkohë që, një zëdhënës i Pentagonit shtoi se aeroplanët nuk vëzhguar apo kontaktuar nga aviacioni kinez.

SHBA-të njoftuan se priten të tjera fluturime ushtarake në zonën e mbrojtjes të pretenduar nga Kina. Zv/presidenti Joe Biden pritet të vizitojë Kinën, Japoninë dhe Korenë e Jugut gjatë një udhëtimi 1-javor dhe do të përpiqet të ulë tensionet e rritura së fundi, bënë të ditur zyrtarë të lartë të administratës amerikane.

“Vizita në Kinë krijon një mundësi për zv/presidentin të diskutojë drejtpërdrejtë me ligjvënësit në Pekin mbi këtë çështje, për të përcjellë drejtpërdrejt shqetësimet tona dhe për të qartësuar qëllimet e Kinës”, tha një zyrtar i administratës për reporterët.

Top Channel