Obamacare, shtyhet për bizneset e vogla

28/11/2013 00:00

Administrata Obama ka njoftuar një tjetër shtyrje për ligjin e saj shëndetësor, këtë herë për të vendosur online sigurimet mjekësore për bizneset e vogla.

Faqja e internetit, që u lejon punonjësve të blejnë mbulim shëndetësor, do të jetë e çaktivizuar për një vit, deri në nëntor 2014.

Problemet e vazhdueshme me Healthcare.gov, që ka pasur një numër të madh vizitorësh që nga hapja e saj më 1 tetor, janë fajësuar për këtë vonesë.

Kjo është shtyrja e fundit e ligjit që njihet ndryshe si Obamacare. Regjistrimi për bizneset e vogla ishte parashikuar të fillonte në tetor, derisa administrata e shtyu për një muaj. Ditën e mërkurë afati u shty prap, këtë herë me një vit.

Zyrtarë pranë administratës u thanë reporterëve në një konferencë për shtyp se punëdhënësit që duan të blejnë sigurim për punonjësit e tyre duhet të kalojnë përmes kompanive apo agjentëve të sigurimit dhe jo përmes faqes së internetit.

Autoritetet thanë se kjo do t’u mundësojë punëdhënësve që të blejnë mbulimin shëndetësor pa u ngadalësuar nga defektet teknike në website. Shtëpia e Bardhë ka premtuar se faqja do të rregullohet nga fundi i nëntorit.

Zëdhënësja Julia Bataille deklaroi të mërkurën se portali po përballej me 25 mijë përdorues në të njëjtën kohë. Ajo tha se brenda së shtunës faqja do të jetë në gjendje të përballojë dyfishin e atij numri vizitorësh.

Top Channel