Hekurudha kineze në Afrikën Lindore

28/11/2013 16:15

Kenia inaguroi nisjen e punimeve të një hekurudhe të re të financuar nga Kina, që do të shtrijë rrjetin hekurudhor në Afrikën Lindore, duke lidhur vendin me Sudanin e Jugut, Republikën Demokratike të Kongos dhe Burundin.

Një investim i tillë madhor shihet si një përpjekje më shumë e Pekinit për të shtrirë ndikimin e tij mbi “Kontinentin e Zi”.

Pjesa e parë e hekurudhës do të lidhë portin kryesor kenian të Mombasës me kryeqytetin Najrobi, duke shkurtuar udhëtimin që aktualisht kryhet në mënyë rrugore me 15 orë.

Prej Kenias, projekti është konsideruar si vepra më e madhe në infrastrukturë në 50 vitet e ekzistencës së pavarur të vendit.

Kostoja e përgjithshme e hekurudhës arrin vlerën e 5,2 miliardë dollarëve.

Megjithatë, marrëveshja keniano-kineze është pritur prej mediave vendase me skepticizëm, pasi është kritikuar gjerësisht vendimi i qeverisë për të akorduar këtë projekt pa kaluar më parë procedurat e tenderit.

Top Channel