Pas skandalit të shpërthyer në “Fiks Fare”, debati për korrupsionin në drejtësi vjen në “Top Shoë”. Nevoja e reformimit të sistemit, pastrimi i drejtësisë nga korrupsioni dhe politika kanë qenë temat e diskutimit. Të ftuar në emisionin e Alban Dudushit: Elvis Cefa, nënkryetar i KLD-së; Nasip Naço, ministër i Drejtësisë; Arben Ristani, deputet i PD-së; dhe Ndue Pjetra, avokat.

Elvis Cefa: Nuk është aspak një ngjarje periferike, madje nuk ndihem aspak mirë kur shoh dhe rishoh ato imazhe, që na turpërojnë të gjithëve dhe nuk mund t’i pranoj si identifikuese të të gjithë trupës së Drejtësisë. Ky mbetet një rast që nuk besoj të jetë i vetmi, por gjithsesi mbetet dënues si fenomen dhe kurrsesi nuk mund të hedhë baltë mbi të gjithë gjyqtarët. Nuk dua të pranoj faktin që në dukje ka dyshime të arsyeshme për përfshirjen e një gjyqtari në afera korruptive. Si profesionist dhe bazuar mbi ligjet, ka dyshime për përfshirjen e atij gjyqtari në korrupsion, por ende nuk kemi parë me pamje filmike se gjyqtari vet ka marrë zarfin me parà. Jam i bindur se e vërteta do të dalë në dritë.

Nasip Naço: Si ministër i Drejtësisë jam skuqur kur kam parë për herë të parë ato pamje, që nuk janë rasti i parë. Tashmë dihet që korrupsioni është kthyer në një fenomen, ndaj dhe qeveria po merr të gjitha masat që ta luftojë këtë fenomen, me një paketë ndryshimesh ligjore kundër këtij vesi. Nuk mund të them që nuk ka korrupsion në gjyqësor, pasi edhe nëse them unë jo, janë qytetarët që enden cdo ditë dyerve të gjykatave. Kemi ndërtuar një strategji, kemi ngritur portalin e denoncimit të korrupsionit në drejtësi, për cdo gjyqtar, për cdo cështje, pasi e kemi pranuar si fenomen ekzistues në drejtësi. Madje jemi shumë të kënaqur që qytetarët kanë sjellë kërkesa të panumërta si përgjigje e kësaj nisme, gjë që tregon qartësisht që qytetarët kanë nisur të besojnë te qeveria e re. Në jo pak raste, kemi pasur disa cështje gjyqësore të ngritura nga qytetarët bazuar mbi pamjet filmike të transmetuara në emisionin Fiks Fare, cështje që janë marrë seriozisht në konsideratë dhe që janë në shqyrtim.

Ndue Pjetra: Nëse flasim me baza, dy puntatat e transmetuara në Fiks Fare nuk japin fakte për përfshirjen e gjyqtarit direkt. Në rastin konkret nuk mund të akuzohet gjyqtari si i implikuar në këtë ngjarje, nëse kancelarja, sekretarja apo avokati bëjnë veprime të paligjshme. Unë personalisht do të vija gishtin tek avokati, pasi ai shihet si personi që merr përsipër ndërmjetësimet. Nuk është hera e parë që avokatët bëhen palë dhe nismëtarë të këtyre ngjarjeve dhe në to implikojnë edhe gjyqtarët.

Elvis Cefa: Jemi përpara një rasti me zë e me figurë, nuk është e nevojshme të diskutohen raste të tjera konkrete, por të përqendrohemi këtu dhe të analizojmë këto fakte që kemi. E them këtë pasi, jo cdo vendim i gabuar i gjyqtarëve është një premisë që të con te dyshimi se ai e ka bërë këtë gabim për shkak se është i korruptuar. Bazuar në provat e këtij filmimi apo edhe të rasteve të tjera, besoj se nuk duhet ta përmendim korrupsionin vetëm si plagë të sistemit të Gjyqësorit, pasi sic e keni parë edhe vet, edhe palë të tjera janë të përfshira në këtë.

Arben Ristani: Korrupsioni është një plagë në drejtësi dhe përbën një gangrenë e shoqërisë shqiptare. Ndihma që jemi emisioni juaj Fiks Fare është e mirëpritur dhe një kontribuese e madhe për ta shmangur këtë plagë, por nuk është i vetmi që zbardh të tilla ngjarje, pasi kemi pasur raste raportimesh edhe nga vet policia, që kanë cuar në ndëshkimin e avokatëve apo gjyqtarëve. Do të dilja në krah të ministrit Naco, kur thotë se kjo cështje ka nevojë për vullnet për ta luftuar, madje vullnetin e të gjithë palëve. Mund të marrim si shembull një rast: një dosje hetimore dhe një veprim hetimi jo i mirë apo jo i plotë, mund të cojë që korrupsioni të bëhet pjesë e gjyqësorit, pasi nëse dosja do të kishte të gjitha provat e mundshme, atëherë gjyqtari nuk do të ketë mundësi nga të luajë.

Nasip Naço: Kemi hartuar një strategji me masa parandaluese dhe ndërgjegjësuese për të gjithë shoqërinë shqiptare, pasi nevojitet edhe ndihma dhe kontributi i gjithë qytetarëve për të pasur guximin që të raportojnë cdo padrejtësi apo shkelje ligjore që u bëhet. Paketa jonë ligjore antikorrupsion kërkon vullnetin politik e të gjithë institucioneve ligjzbatuese që këtë fenomen, që ne e kemi konsideruar si krim të rëndë, ta hetojnë prokurorët e krimeve të rënda dhe të gjykohet po në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Sigurisht që edhe kjo ngjarje e transmetuar në Fiks Fare ka vënë në lëvizje të gjithë institucionet e shtetit, sic e keni parë, reaguan si Prokuroria e Përgjithshme ashtu dhe KLD-ja, në mënyrë që nesër të kemi një shoqëri më të shëndoshë dhe më të ndërgjegjësuar.

Arben Ristani: Kemi një situatë ku njerëzit janë mësuar tashmë që korrupsioni ekziston kudo, si në drejtësi, në shëndetësi, në polici, e në cdo lloj fushe të jetës, duke i shtruar terrenin këtij fenomeni të vijojë e të thellohet. Besoj se duhet edhe një fushatë ndërgjegjësimi ndaj njerëzve, që të mos sillen si të pahabitur kur mësojnë për korrupsion në një dikaster apo një tjetër, por të kontribuojnë në luftimin e korrupsionit kudo ku ka shtrirë rrënjët.

Elvis Cefa: Qytetarëve u mungon njohuria e saktë nga brenda sistemit dhe perceptimi i tyre për nivelet e ekzistencës së korrupsionit në Drejtësi janë joreale. Dimë se në shumë statistika kemi vlerësime perceptimi mbi 80% për korrupsionin, madje nëse qytetarët pyeten pas kësaj videoje të transmetuar në këtë emision, besoj se mund të shkojë edhe në 100%. Ne nuk duhet të fusim në kolaps të gjithë sistemin, por të reflektojmë mbi reaksin zinxhir se perceptimi nuk është asnjëherë realiteti, apo të qenit pranë të vërtetës. Mund t’u them një paralelizëm të kohëve të fundit: kriza ekonomike në botë erdhi si pasojë e mungesës së besimit të klientëve të bankave, duke bërë që ata të tërhiqnin depozitat e tyre, duke e rënduar edhe më tej krizën. E njëjta gjë nuk duhet të ndodhë në rastin tonë konkret. Nuk duhet që të gjithë ne të marrim si të mirëqenë perceptimin e popullit dhe ta rëndojmë këtë situatë, duhen fakte dhe statistika reale. Nuk duhet të lejojmë që një rast i vetëm të përgjithësojë gjithcka dhe të fajësojmë të gjithë sistemin, pasi kështu nuk do zgjidhim asgjë, përkundrazi do rëndojmë situatën.

Nasip Naço: Unë pranoj që një pjesë të fajit për korrupsionin e ka edhe politika, pasi palët politike kërkojnë një nder sot një prokurori apo gjyqtari, për ta pasur në favorin e vet apo për ta përdorur nesër kundër kundërshtarëve politikë, gjë që i jep terren prokurorit apo gjyqtarit që të korruptohet kollaj, pasi justifikohet me mburojën politike. Personalisht do të thoja se vet gjyqtarët apo prokurorët, ato pak veta që tregohen edhe me gisht si të korruptuar, duhet të tërhiqen vet dhe të distancohen nga politika, pasi të japësh drejtësi mbi një ngjarje nuk do të thotë që sot ngjyra e drejtësisë është e kuqe dhe nesër blu. Ndaj dhe, bazuar mbi rezultatet e para të nismës sonë me denoncimet online në faqen e sistemit të drejtësisë, ku vërehet një rritje e besimit të qytetarëve në këtë qeveri, mund të them se gjërat janë në rrugën e duhur për ta luftuar këtë fenomen. Reformat dhe ndryshimi i ligjeve, me vullnetin e të gjithëve, do të bëjë që sistemi i drejtësisë të përmirësohet, pas tronditjes së pësuar prej emisioneve të fundit të Fiks Fare.

Ndue Pjetra: Edhe ligjet e sotme që janë në fuqi duhet thënë se nga politika kanë ardhur, ndaj dhe besoj se ka vend për shumë përmirësime, pasi kemi parë që nga shifrat konkrete të 2008-s, nga totali i cështje gjyqësore të marra në gjykim, shumë pak prej tyre kanë marrë zgjidhje. Madje mund të sjell në vëmendjen tuaj edhe një problem tjetër, ku bazuar mbi ligjet e sotme, ka avokatë që afatin nga seanca në seancë e shtyjnë sa të duan, duke i cuar gjyqet me vite të tëra pa dhënë zgjidhje.

Nasip Naço: E vetmja mundësi, që ne ta luftojmë realisht korrupsionin në shoqërinë tonë, konkretisht në Drejtësi, është që të zbatojmë ligjin për të gjithë, pasi kushdo është i barabartë para ligjit. Në paketën tonë ligjore që është në Parlament dhe besoj se do të kalojë, kemi vendosur që në një rast të tillë si ky i transmetuar nga Fiks Fare, të hetohet pasuria aktuale dhe ajo e vënë ndër vite jo vetëm e gjyqtarit apo avokatit, por edhe asaj sekretares dhe gjithë familjarëve të tyre.

Arben Ristani: Kemi mbi 20 vjet që përpiqemi të ndërtojmë demokracinë në vend. Mund të them se korrupsioni nxitet më shumë nga situatat monopol të shërbimeve shtetërore apo private. Të gjithë e dimë se korrupsion ka në të gjithë shtetet e botës, sepse cdo shtet ka situata monopoli në vetvete, por besoj se luftimi i tij dhe ulja e ndikimit të tij mund të bëhen përmes tri faktorëve: Profesionalizmi, përkushtimi dhe transparenca. Sa më tepër karrierë të pasur të kesh dhe sa më profesionalizëm të kesh fituar, aq më pas budallalliqe mund të shkruash. Sigurisht, edhe politika ka vendin dhe ndikimin e saj në luftimin apo jo të këtij fenomeni. Besoj se kjo nuk ka nevojë të diskutohet, sepse lufta ndaj korrupsionit nuk duhet të ketë ngjyra.

Nasip Naço: Jo vetëm unë, si ministër Drejtësie, por askush tjetër, i vetëm, nuk mund të ndryshojë situatën. Duhet kontributi i të gjithëve, përfshi Presidentin, që është edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por që emëron edhe të gjithë karrieristët e tjerë dhe stafin e sistemit gjyqësor. Ne si shtet kemi disa ligje të vitit 2005 dhe një Kushtetutë të vitit 2008, por që mendoj se duhen përmirësuar, në radhë të parë për t’i përshtatur me zhvillimet e fundit, ku përmend faktin që ne pritet të marrim statusin si vend kandidat për në BE. Kjo reformë kërkon bashkërendimin dhe ndihmën e mazhorancës, opozitës dhe të gjithë palëve të përfshira, pse jo duke përfituar edhe nga konsulenca të huaja.

Elvis Cefa: Që ne të luftojmë korrupsionin, duhet të japim një mesazh përgjegjshmërie, transparence të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili duhet të kishte vënë në zbatim sistemin e vlerësimit të karrierës së gjyqtarëve. Emërimi, promovimi apo transferimi i gjyqtarëve nuk do të linin aspak vend për dyshime korruptime në të ardhmen, nëse do të kishim gjyqtarë që kanë kaluar në sitën e vlerësimit të karrierës. Më thoni ju, cili gjyqtar do të donte të kishte një karrierë të pasur me korrupsion, nëse do ta dinte se cdo veprimtari e tij do të kalonte në sitën e KLD-së për t’i hapur ose jo më vonë rrugën për ngritje të mëtejshme. Unë mund t’iu sjell në vëmendje ndryshimin mes një gjyqtari shqiptar dhe një homologu gjerman: shqiptari merret vet personalisht me cdo detaj të raportit për gjykim, duke nisur që nga fletëthirrjet për palët, ndërkohë që ai gjerman nuk do t’ia dijë fare për këto, pasi ka një staf ekspertësh që merret me detajet dhe atij i jepet vetëm baza për t’u gjykuar. Gjithsesi, mund të them se nevoja për reforma të vazhdueshme, mbi të gjitha për të krijuar besimin ndaj gjyqtarëve, sepse vetëm kështu mund të rritet përgjegjshmëria e tyre.

Nasip Naço: Është shumë e lehtë të identifikosh fakte si për shembull cështja e pagave dhe kërkesa për paga më të mira për gjyqtarët. Por, kjo gjë duhet bërë fillimisht bazuar mbi mundësitë që ka shteti i sotëm për të rritur pagat. Për të mos kaluar më tej në analiza më të detajuara si për shembull orët e punës. Të gjithë ne, jo vetëm gjykatësit, kemi nevojë dhe kërkojmë gjithnjë rritje page, për t’u barazuar disi me profesionistët e njëjtë me ne që janë në vendet e huaja të zhvilluara, por duhet të shohim edhe punën tonë në krahasim me kolegët tanë jashtë. Mjafton të shohim që në Gjykatën e Lartë janë mbi 12 mijë cështje të pagjykuara deri më sot, dhe mund të kuptojmë se sa orë në ditë, muaj apo vit punojnë gjykatësit tanë, krahasuar me ata të huajt. Sigurisht, gjykimi i këtyre cështjeve është bërë me short, por është bërë edhe në mënyrë selektive. Ndaj dhe dua të them se edhe kreu i Gjykatës së Lartë mund të japë kontributin e tij në shkeljet e ndodhura. Edhe në KLD, pavarësisht se nuk mund të mos them se ka pasur përmirësime dhe zhvillime të mira, mund të sjell konkretisht rastin e Gjykatës së Apelit të Durrësit, ku nga mbi 60 kandidatë, 11 anëtarët e KLD-së votuan vetëm për 4 prej tyre, duke lënë hije dyshimi se fituesit ishin paracaktuar. Më pas mund të shohim edhe mosemërimet e magjistratëve të rinj të dy brezave, 4 të parët dhe 4 të tjerë. Ndaj dhe besoj se edhe KLD-ja vet duhet reformuar, megjithatë jam i bindur se së bashku me KLD-në do të arrijmë të bëjmë më të mirën për këtë reformim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA