Jeton në qytetin më jug-lindor të Shqipërisë, në Bilisht. Atje ku mendohet se shumë pak gjëra mund të ndodhin, Bujari gjen burime të pafund frymëzimi për të ndërtuar veprat e tij.

Ka botuar 13 libra, nga të cilët libri me skica dhe tregime “Kohë që flet” është përzgjedhur për t’u futur në kurrikulën e librave jashtëshkollorë të shkollave në Shqipëri.

“Librin e parë e kam paraqitur në shtëpinë botuese në vitin 1983. Nuk ma pëlqyen dhe e lashë të “flejë” në dosje. Cuditërisht, këtë libër e botova në vitin 1999”, tregon shkrimtari.

Bujari është mësues letërsie në gjimnazin e vetëm të Bilishtit. Ka pritshmëri të larta nga nxënësit e tij dhe gjithmonë i nxit të vazhdojnë pasionet e tyre të mëdha. Hermesi dhe Bianka janë 2 nga nxënësit e vitit të parë, të cilët kujtojnë disa momente gjatë mësimit me profesorin e tyre.

“Na e ka bërë letërsinë një lëndë shumë të dashur për ne. Tani jemi të aftë të futemi në thellësi të veprës.”

Puna e tij ka kërkuar edhe shumë sakrifica nga bashkëshortja dhe 2 djemtë, tashmë të rritur. Kështu tregon Refije Braho: “Jam përkujdesur për fëmijët, shtëpinë, mikpritjen e miqve, kuzhinën…”

Jeton në periferi, por për të është pikërisht kjo është pika e tij e fortë e krijimtarisë: “Ke mundësi të njohësh realitetin. Shkrimtarë të mëdhenj si Flober dhe Dostojevski kanë lënë zhurmën e kryeqytetit për të punuar në provinca.”

Pjesën më të madhe të librave e ka shkruar me makinën e shkrimit që e ka ruajtur ndër vite si një nga objektet e tij më të dashura.

Puka, qyteti që më ka frymëzuar për 20 librat e mi

Të gjithë në Pukë krenohen me Riza Tafilakun. Jo vetëm se në vitin 1973 i nderoi me titullin e kampionit kombëtar të mundjes, por edhe se i ka kushtuar atij vendi dhe njerëzve të tij një pjesë të madhe nga krijimtaria e tij letrare.

“Krijimtaria letrare nuk matet me vendin e origjinës”, thotë Rizai.

Është krenar që është bir i atij vendi, krenar edhe për faktin se është shkrimtar periferie, krenar që ka mundësinë të japë kontributin për atë vend që para viteve ’90 ka pasur një numër shumë të kufizuar të veprave letrare. Por, tashmë edhe falë tij kjo gjë ka ndryshuar. Tafilaku është autor i 17 librave të botuar dhe i 3 të tjerëve gati për botim.

“Në momentin që më vjen frymëzimi, mundohem që ta hedh në letër sa më bukur. Gjithmonë kam marr shkas nga vetë jeta ime. Nuk mbështetem në fantazi për të shkruar, por në baza reale”, shpjegon Tafilaku.

Ka filluar të shkruajë që në vogëli. Cdo gjë për të merrte kuptim e pavarësisht se ku ndodhej, kur stërvitej në mundje, kur shkonte në gëzime, kur takohej me miqtë e kur ishte në shoqërinë e familjes, përpiqej të gjente një copë letër për të hedhur vargjet që i dilnin nga shpirti.

Top Channel