Një gazetar grek, i cili publikoi një listë prej 2 mijë personazh, të cilët fshihnin të ardhurat e tyre në bankat zvicerane u shpall për së dy i pafajshëm për shkelje të së drejtës së privatësisë.

Kostas Vaxevanis u gjykua dhe u shpall i pafajshëm fillimisht gjatë 2012-s, por në një lëvizje të pazakontë, prokuroria urdhëroi rigjykimin e tij.

Vaxevanis arriti të siguronte një listë që në vitin 2010, ish-ministrja e Financave e Francës, Christine Lagarde, ia dorëzoi për hetim homologut të saj grek.

Pavarësisht marrjes së këtyre të dhënave të dyshimta, Athina nuk nisi hetime mbi personat, midis të cilëve përfshihen politikanë dhe disa prej figurave publike më të njohura të vendit.

Publikimi i atij skandali shkaktoi një tërmet të vërtetë në jetën politike greke dhe Vaxevanis fitoi statusin e një heroi në sytë e publikut.

Ish-ministri grek i Financave, George Papaconstantinou, emri i të cilit figuronte në listën e të dyshuarve, u ndoq më pas në një proces tjetër, pasi ai fshiu nga lista emrat e të afërmve të tij.

Top Channel