Flamujt kuqezi janë vendosur në qendër të Prishtinës për nder të 28 Nëntorit. Sektori për kulturë në Kuvendin komunal të Prishtinës po merret me organizimin e një sërë aktivitetesh të paralajmëruara për ditën e enjte.

Panairi me ushqime e veshje tradicionale shënon hapjen e aktiviteteve të organizuara në kryeqytet, për të pasuar gjatë ditës me programin artistik për fëmijë.

Muzika popullore nga shoqëri të ndryshme kulturore artistike është pjesë e ngjarjeve të ditës për nder të kësaj feste kombëtare, për të vazhduar me një koncert për të rinjë, me grupe të ndryshme muzikore nga Kosova. Festa do të mbyllet me hedhjen e fishekzjarreve në qendër të Prishtinës.

Ndryshe nga komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ka organizuar ndonjë aktivitet për shënimin e kësaj feste. Jehona Shyti, zëdhënëse e kësaj ministrie, tha për Top Channel se organizimi i këtyre aktiviteteve është kompetencë e institucioneve kulturore.

Nëse qeveria e Kosovës vendos që të shënohet 28 Nëntori si festë, atëhere MKRS patjetër se do të marrë përsipër përgjegjësitë që i jepen, shtoi ajo.

Ndryshe, në kalendarin e festave shtetërore të Kosovës, 28 Nëntori nuk është e shënuar si ditë feste zyrtare, por mësohet se një sërë institucionesh si dhe shtypi i ditës nuk punojnë gjatë kësaj dite.

Top Channel