Skoci, gati shpalosja e projektit për Pavarësi

26/11/2013 03:50

Kryeministri i parë i Skocisë, Alex Salmond, do të zbulojë projektin e tij për Pavarësi gjatë ditës së martë, përmes një dokumenti të pritur prej kohësh, i cili – sipas tij – do të hapë rrugën për fundin e Mbretërisë së Bashkuar.

Salmond pritet të dorëzojë një Letër të Bardhë në Glasgou, ku përshkruan vizionin e qeverisë së tij për një komb të pavarur skocez.

I përshkruar nga Partia Kombëtare Skoceze (SNP) në pushtet si një “dokument simbol”, publikimi prej 670 faqesh pritet të caktojë çështjet ekonomike, sociale e demokratike për të lënë Britaninë e Madhe.

Zëvendës/kryeministri i parë, Nicola Sturgeon, tha: “Mesazhi ynë ndaj popullit të Skocisë është i thjeshtë: Lexojeni, krahasojeni me çdo alternativë të mundshme për të ardhmen e Skocisë dhe vendosni pas mendjes suaj”.

Letra pritet të adresojë gjithashtu çështjet e diskutueshme si: çfarë monedhe do të miratojë vendi, ashtu sikurse dhe se si do të krijohet ushtria, apo nëse Skocia do të vazhdojë të mbetet pjesë e Bashkimit Europian.

Votuesit do të vendosin më pas në shtator, në një referendum që mund të caktojë kështu fundin e një bashkimi shtetesh, që ka zgjatur më shumë se 3 shekuj.

Salmond dhe zëvendësi i tij do të udhëheqin shpalosjen e projektit, të cilin ata e krahasojnë me “prosperitetin për një Skoci të pavarur”, në Qendrën Shkencore të Glasgout, mëngjesin e së martës.

Publikimi i kësaj letre shihet nga komentatorët politik si një moment përcaktues, në atë që ka qenë një fushatë e ashpër mes atyre që i thonë “Po” Pavarësisë së vendit dhe të tjerëve që thonë “Më mirë së bashku”, rivalë të të parëve.

Ekonomia ka qenë epiqendra e debatit, teksa kritikët thonë se Skocia do të mbetet në një “vrimë të zezë” multi-miliarda-dollarëshe, sa i përket financave publike, si rezultat i largimit nga Mbretëria.

Top Channel