Obama mbron paktin me Iranin

26/11/2013 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka mbrojtur marrëveshjen mes Iranit dhe fuqive botërore për programin bërthamor të Teheranit.

Ai u shpreh i vetëdishëm se pengesa mbeten, por theksoi se qëndrimi i palëvizshëm dhe kokfortësia nuk garantojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara.

“Sfida të mëdha mbeten, por ne nuk mund t’i mbyllim dyert diplomacisë dhe nuk mund të përjashtojmë zgjidhjet paqësore për problemet e botës”, deklaroi Obama gjatë një evenimenti në San Francisco.

“Nuk mund ta përfshijmë veten në një cikël të pafund dhune dhe qëndrimi i hekurt mund të jetë gjëja më e thjeshtë për t’u bërë politikisht, por nuk është gjëja e duhur për sigurinë tonë”, vijoi presidenti amerikan.

Marrëveshja e përkohshme e arritur të dielën në Gjenevë të Zvicrës solli në pranimin nga ana e Iranit të ndalimit të disa prej aktiviteteve të tij bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Marrëveshja në përgjithësi është mirëpritur, por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi atë si “një gabim historik”.

Ai njoftoi se një ekip ekspertësh izraelitë të sigurisë do të udhëtojë për në Uashington për bisedime. “Kjo marrëveshje duhet të sjellë vetëm një rezultat: çmontimin e kapaciteteve bërthamore të Iranit”, tha Netanyahu.

Edhe disa senatorë amerikanë e kritikuan paktin duke e vlerësuar si shumë të dobët dhe kanë kërcënuar se do të bëjnë presion për sanksione të reja.

Perëndimi dyshon prej kohësh se programi iranian i pasurimit të uraniumit synon pajisjen e vendit islamik me bombën bërthamore, gjë që Teherani e mohon duke thënë se ka vetëm qëllime paqësore.

Për këtë arsye një seri sanksionesh i janë vendosur Iranit nga Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Top Channel