Në muajin prill të vitit 2010 me nënshkrimin e kontratës ndërmjet Bechtel – Enka GP dhe Qeverisë së Kosovë pati nisur ndërtimi i korridorit më të rëndësishëm të infrastrukturës së Republikës së Kosovës.

Rruga e Kombit në territorin kosovar fillon në Morinë,  përkatësisht në kufirin jugor me Shqipërinë dhe vazhdon në drejtim të Merdarës drejt kufirit Verior me Serbinë. Vlen të theksohet se detajet e këtij projekti kaq të rëndëssishëm dhe të kushtueshëm asnjëherë nuk janë bërë publike nga qeveria kosovare. Shuma e përgjithshme deri më tani shkon në 800 milione euro investime.

Gjatësia autostradës nga Vërmica e deri në Besi në drejtim të Merdarës është 77.4 km me gjithësej 9 nyje lidhëse. Rrugës u ndriçua një ditë para afatit përfundimtar.

Presidentja kosovare rikujtoi se ideja për Rrugën e Kombit ishte e udhëheqësit largpamës sic tha ajo,  të njeriut që e dha idenë e ndërtimit të Autostradës që lidh Tiranën e Prishtinën, të Presidentit të Parë Doktor Ibrahim Rugova.

Ndërkohë kryeministri theksoi se, autostrada lidh një komb të vogël, por me vlera dhe njerëz të mëdhenj. Punimet përfunduan me mbylljen e tri sesioneve të fundit në rajonin e Prishtinës saktësisht në fshatin Besi.

Hapja zyrtare e autostradës u bë në fshatin Mazgit, komuna e Obiliçit nga presidentja dhe kryeministri kosovar.

Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës: Sot po përurojmë udhën e Kombit, të ndërtuar krejtësisht me mjetet tona, që mban emrin e udhëheqësit tonë largpamës, të njeriut që dha idenë e ndërtimit të kësaj autostrade që lidh Tiranën dhe Prishtinën, të presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ne dëshmuam se me forcat tona jemi të aftë të bëjmë vepra të mëdha, që lehtësojnë komunikimin, që nxisin bashkëpunimin.

Hashim Thaci, Kryeministër i Kosovës: Kjo rrugë lidh dhe afron edhe më shumë Kosovën dhe Shqipërinë, kjo autostradë është vetëm fillimi i zhvillimit tonë. Autostrada lidh qytetet e veriut dhe të jugut të Kosovës drejt përparimit. Kjo autostradë që nis nga Adriatiku, lidh një kombë të vogël, por me njerëz dhe vlera të mëdha.

Fjalimet e tyre nga foltorja e inagurimit përfundimtar të rrugës së Kombit, dy liderët e Kosovës i shfrytëzuan edhe për të dërguar mesazhe për zgjedhje të lira e të ndershme në balotazhin e kësaj të diele.

Përgjatë 3 viteve sa kanë zgjatur punimet nga kompania fituese Bechtel – Enka GP kanë punuar rreth 10 mijë punonjës ndërkohë në këtë projekt kanë marrë pjesë mbi 600 kompani lokale. Kostoja e përgjithshme kap shumën rreth 800 milione euro.

Top Channel