Shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, i thotë “Jo” përfshirjes së Kosovës në Gazprom-in rus.
Në një intervistë për Top Channel, ministri Hoxhaj kundërshtoi hapur
qëndrimin e Serbisë që, në kuadër të dialogut në Bruksel, ta bëjë edhe
Kosovën pjesë të gazsjellësit rus “Rrjedha e Jugut”, apo “South Stream”.

Ai tha se Kosova është e interesuar të përfshihet, aty ku është Shqipëria, si dhe vendet e tjera pro-Perëndimore të Ballkanit Perëndimor, pra në gazsjellësin Trans-Adriatik “TAP”. Një projekt tjetër, sipas diplomatit kosovar, ringjall hartën e “Luftës së Ftohtë” dhe të ish-“perandorisë” sovjetike.

“Në këto debatet e fundit, se në cilin tubacion të gazsjellësave duhet të përfshihet Republika e Kosovës, qëndrimi ynë është që duam të jemi pjesë e TAP-it, në atë projekt ku është përfshirë edhe Republika e Shqipërisë me Greqinë e Italinë. Do të thotë e një projekti, që është i Bashkimit Europian dhe që do t’i duhej të furnizonte BE-në, dhe kurrsesi i një projekti që mund të ringjallë një hartë të Luftës së Ftohtë dhe të ish-perandorisë sovjetike”, tha Enver Hoxhaj, ministër i Jashtëm i Kosovës.

Z. Hoxhaj tha se përfshirja e Kosovës në gazsjellësin “Rrjedha e Jugut” nuk është diskutuar në Bruksel. E kundërta ka ndodhur, sipas tij. Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, ka biseduar me qeverinë e Shqipërisë dhe aleatët e tjerë përfshirjen e Kosovës në TAP.

“Deri më tani nuk ka qenë temë e bisedimeve në Bruksel, përderisa kryeministri Thaçi ka biseduar disa herë me të dy kryeministrat e Shqipërisë, ish-in dhe atë aktual, ndërsa kemi diskutuar edhe me aksionerët e tubacionit TAP, si dhe me shtete të tjera partnere, të cilat do të duhej ta ndihmonin Republikën e Kosovës që të përfshihet në këtë gazsjellës. Ne, për një temë të tillë jemi skajshmërisht të qartë se ku do të duhet të përfshihet Republika e Kosovës”, shtoi Enver Hoxhaj.

Një ditë më parë, kryeqyteti serb priti miq nga Rusia, në një ceremoni, e cila shënonte fillimin e ndërtimit të seksionit “Rrjedha e Jugut” nëpër Serbi. Sipas autoriteteve serbe, projekti simbolizon lidhjen midis vendeve dhe kombeve dhe është një monument për lidhje të Serbisë me Rusinë, e krijuar nëpërmjet punës.

Ishte kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili gjatë fjalës së tij tha se në bisedimet në Bruksel ekziston propozimi, që një pjesë shtesë e tubacionit të Gazprom-it rus të shkojë në Kosovë, kurse Maqedonia dhe Shqipëria janë në shqyrtim të projektit.

Top Channel