Karzai shtyn marrëveshjen me SHBA

26/11/2013 00:00

Presidenti afgan Hamid Karzai ka refuzuar të tërhiqet nga vendimi i tij për të mos firmosur marrëveshjen e sigurisë me SHBA, në një takim me këshilltaren e sigurisë kombëtare.

Pakti i lejon mijëra trupave amerikane të qëndrojnë në Afganistan pas vitit 2014. E dërguara amerikane Susan Rice i tha presidentit Karzai se propozimi i tij për ta shtyrë miratimin e marrëveshjes pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm nuk është i përshtatshëm.

Takimi i tyre është mbajtur një ditë pasi pleqtë e mbledhur në asamblenë e madhe në Kabul bënë thirrje që marrëveshja të nënshkruhet këtë vit.

“Presidenti Karzai nënvizoi kushtet e reja për nënshkrimin e marrëveshjes dhe tregoi se nuk është i përgatitur ta firmosë atë menjëherë”, deklaroi Shtëpia e Bardhë në një komunikatë.

Nga ana e saj, zyra e zotit Karzai njoftoi se ai e përdori takimin me të dërguarën amerikane për të kërkuar garanci se trupat amerikane nuk do të bastisin shtëpitë e afganëve dhe se do të ndihmojnë në nisjen e bisedimeve të bllokuara të paqes me talebanët.

Ai përsëriti gjithashtu kërkesën që SHBA të angazhohen për zgjedhje të lira dhe transparente më 5 prill. Një tjetër kusht i tij ishte kthimi i qytetarëve afganë që mbahen në burgun e Guantanamos.

Uashingtoni nga ana e tij insiston se marrëveshja, për të cilën janë shpenzuar muaj të tërë negociata, duhet të firmoset përpara fundit të këtij viti, në mënyrë që të sigurohen planet për trupat që do të mbeten në Afganistan pas vitit 2014.

Zonja Rice tha në takimin e së hënës se shtyrja e firmosjes së marrëveshjes nuk do t’u mundësojë Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s të hartojnë një plan të qartë për praninë ushtarake të pas 2014-s. Gjithashtu, një gjë e tillë nuk i jep siguri as Afganistanit, tha ajo.

Top Channel