Japonia shpërfill zonën ajrore të Kinës

26/11/2013 00:00

Japonia u ka bërë thirrje linjave ajrore të mos u binden rregullave të
Kinës për zonën e mbrojtjes ajrore, edhe pse disa fluturime i kanë
zbatuar ato.

Autoritetet deklaruan se zona e mbrojtjes ajrore është tërësisht e pavlefshme dhe për rrjedhojë nuk duhet të merret në konsideratë.

Por megjithatë të gjitha kompanitë, “Nipon Airways”, “Japan Airlines”, “Singapore Airlines” dhe “Qantas” deklarojnë se e kanë informuar vazhdimisht Kinën për planet e fluturimit.

Kina njoftoi krijimin e zonës së saj mbi Detin Lindor ditën e shtunë. Zona përfshin ishujt e kontestuar me Japoninë, ndërkohë që edhe Taivani pretendon sovranitetin mbi disa prej tyre. Pjesë e zonës është edhe një shkëmb i zhytur i cili pretendohet nga Korea e Jugut.

Kina deklaron se mjetet ajrore që hyjnë në zonë duhet t’u binden rregullave të saj, që përfshijnë dhënien e një plani fluturimi, mbajtjen e dy kanaleve të komunikimit me radio dhe identifikimin e kombësisë së avionit.

“Mjetet ajrore që injorojnë rregullat do të bëhen subjekt i masave të posaçme”, deklaroi Ministria kineze e Mbrojtjes ditën e shtunë.

Japonia e ka dënuar këtë veprim të qeverisë së Pekinit duke e cilësuar si ilegal, me kryeministrin Shinzo Abe që të hënën e konsideroi si një veprim “të rrezikshëm”.

Ditën e martë, ministri japonez i Transporteve, Akihiro Ota deklaroi se zona e ngritur nga Kina nuk është aspak e vlefshme dhe për rrjedhojë kompanitë ajrore japoneze nuk kanë pse zbatojnë rregullat e saj.

Top Channel