Tajlandë, protesta në rrugët e Bangkokut

25/11/2013 00:00

Kryeministrja tajlandeze ka thirrur kompetencat speciale në Bangkok dhe në zona të tjera të vendit, pasi protestuesit anti-qeveritarë iu drejtuan selive të ministrive.

Yingluck Shinawatra iu përgjigj ditës së dytë të demonstratave në Bangkok nga dhjetëra mijëra qytetarë që i bënin thirrje qeverisë që të dorëhiqej.

Vendimi i saj për të përforcuar Aktin e Sigurisë së Brendshme u mundëson zyrtarëve të vendosin shtetrrethim dhe të bllokojnë rrugët. Protestat u shkaktuan nga një projekt/amnesti e diskutueshme politike.

Manifestuesit, që ditën e diel mbajtën një tubim masiv, kanë marshuar sërish të hënën në zona të ndryshme të Bangkokut, përfshirë këtu sheshet para selisë qendrore të policisë dhe stacioneve televizive.

Korrespondenti i BBC në Bangkok thotë se departamenti i parë i qeverisë që ra ishte Ministria e Financave, e cila sipas protestuesve keqpërdor buxhetin e shtetit. Protestuesit më pas u drejtuan për në Ministrinë e Jashtme, si dhe në atë të Marrëdhënieve me Publikun.

Kryeministrja mbajti një fjalim televiziv ku deklaroi se, “veprimet e tyre ilegale kërcënojnë stabilitetin e qeverisë dhe pengojnë zyrtarët civilë të kryejnë detyrën e tyre”.

Ajo theksoi se qeveria nuk dëshiron të shikojë një përsëritje të dhunës që çoi në vrasjen e disa dhjetëra personave gjatë një ndërhyrjeje të ushtrisë.

“Shërbimi i sigurisë sonë kombëtare po monitoron protestat dhe ne po përpiqemi ta menaxhojmë situatën duke shmangur dhunën”, tha më tej kryeministrja Shinawatra.

Top Channel