Kushte atmosferike të qëndrueshme dhe ditë me diell, parashikimi i motit për këtë të mërkurë
Sektori kundër narkotikëve dhe trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet e
Komisariatit të Policisë Nr.4 në Tiranë, në kuadër të operacioni policor
“Stuhia-2″, ka bërë të mundur sekuestrimin e 32 kg kanabis si dhe
arrestimin e poseduesit të drogës, 64-vjeçarin Enver Maxhaku, lindur dhe
banues në Shëngjergj Tiranë.
Në vijim të operacionit “Stuhia” dhe hetimeve disa ditore, në ngarkim të 64-vjeçarit, u arrit të përcaktohet vendndodhja e drogës dhe e autorit, duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të tij, në fshatin Urë, komuna Shëngjergj Tiranë.
Kapja në flagrancë e 64-vjeçarit u bë në stanin e tij që ndodhej në Malin e Shtogut. Gjatë zhvillimit të operacionit nuk pati rezistencë nga ana e personit të arrestuar.
Sipas policisë, lënda narkotike e llojit kanabis sativa ishte e kultivuar në pyjet e fshatit Urë të komunës Shëngjergj, dhe vendi ku lënda narkotike u sekuestrua ishte Stani i tij, me vendndodhje në Malin e Shtogut. Lënda narkotike ishte e futur në tetë thasë, gati për tregun e shitjes, bëjnë të ditur burime të policisë së Tiranës.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në ambientin ku qëndronte i arrestuari është gjetur edhe një armë gjahu teke dhe dhjetëra fishekë arme gjahu, për të cilat 64-vjeçari Maxhaku nuk dispononte leje nga organet kompetente.
Ndaj Maxhakut u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale “Prodhim, shitje të lëndëve narkotike”, në bashkëpunim.
Top Channel