Gazetarit Milaim Zeka i është komunikuar masa e ndalimit njëmujor të takimeve dhe afrimit me dëshmitarë të çështjes “Drenica”. Ky vendim është marrë të hënën gjatë seancës dëgjimore në gjykatën themelore në veri të Mitrovicës.

Lajmi konfirmohet për TCH nga avokati i zotit Zeka, Gafurr Elshani. Avokati bën të ditur gjithashtu se klienti i tij do ta respektojë vendimin e gjykatës dhe nuk do ta apelojë atë.

Zeka është duke u hetuar nga prokuroria e EULEX-it në lidhje me intervistat e realizuara me dëshmitarë të çështjes së Grupit të Drenicës.

Nën dyshimin për vepren penale të frikësimit dhe pengimit të proçedurës penale, tashmë gazetarit i ndalohet me vendim gjykate kontakti i drejtëpërdrejtë ose tërthor me mjete komunikimi si telefon apo email, me çdo person që ai e di se është dëshmitar, beson se është i tillë, apo dëshmitar i mundshëm në këtë proces.

Masa zgjat një muaj që nga sot dhe në rast të shkeljes i pandehuri rrezikon paraburgimin. Disa ditë më parë EULEX bastisi zyrat dhe shtëpine e gazetarit Milaim Zeka në Prishtinë duke konfiskuar paisje elektronike. Zeka e quajti këtë një shou mediatik dhe tha se gjatë intervistimit nuk e ka ditur se dëshmitarët ishin të mbrojtur.

Top Channel